2010-12-03 17:19:56

Papa ambasadorit të Kosta Rikës: të arrihet paqja duke mbrojtur jetën, ambientin e integritetin shoqëror


Kosta Rika të vazhdojë t’u mësojë të rinjve se përparimi i vendit është i mundur vetëm duke luftuar korrupsionin, kriminalitetin e duke miratuar ligje, që mbrojnë jetën, familjen dhe ambientin. Ky ishte thelbi i fjalimit të Papës Benedikti XVI, gjatë paraqitjes së letrave kredenciale të ambasadorit të ri të vendit të Amerikës Qendrore në Vatikan, Fernando Felipe Sançez Kampos.
I juaji, është një vend “i bukur, me male e fusha, me lumenj e dete, me ajër e erë, që i japin impuls një populli mikpritës, krenar për traditat e veta”, popull, i cili e ka pranuar Ungjillin prej shekujsh, duke e zbatuar në shumë nisma edukative, shëndetësore dhe zhvillimi njerëzor. Papa e nisi fjalimin në mënyrë gati poetike, për të kaluar në një analizë shumë konkrete të gjendjes në Kosta Rika, e cila po i hap rrugën gjithnjë e më shumë relativizmit. Të jesh i krishterë, i tha Papa ambasadorit, u mëson të rinjve:
“…se në Krishtin, Birin e Zotit, njeriu mund të gjejë gjithnjë forcën për të luftuar kundër varfërisë, kundër dhunës në shtëpi, kundër papunësisë e korrupsionit, për të garantuar drejtësinë shoqërore, të mirën e përbashkët dhe përparimin e njeriut në tërësi”.
Pastaj thirrja drejtuar autoriteteve, të cilat duhet të punojnë për drejtësinë e të mirën e përbashkët të kombit. “Është e rëndësishme – tha Benedikti XVI – që autoritetet të mos ngurrojnë…
“…në kundërshtimin me forcë të padrejtësisë, të kriminalitetit rinor, të punës së të miturve, të trafikut të drogës, duke promovuar masa në fushën e sigurisë, të formimit për fëmijët dhe të rinjtë, të kujdesit për të burgosurit, të sigurimit të kurave shëndetësore për të gjithë, sidomos për nevojtarët e të moshuarit, me programe, që u japin atyre mundësinë të kenë një shtëpi e një punë me dinjitet”.
E siç ka bërë shpesh këto ditë, Papa e ngriti zërin në mbrojtje të jetës njerëzore, nga zënia deri në vdekjen e natyrshme. Respektimi i të drejtave të fëmijës së palindur, të familjes e jo më pak, respektimi i ambientit, ndikojnë në arritjen e ruajtjen e paqes, theksoi Ati i Shenjtë:
“Mbrojtja e paqes mund të lehtësohet nga kujdesi për ambientin. Kosta Rika ka arritur rezultate të mira në këtë fushë e në vendosjen e ekuilibrit ndërmjet zhvillimit njerëzor dhe ruajtjes së burimeve natyrore… Inkurajoj të gjithë kostarikanët të promovojnë një zhvillim njerëzor në harmoni me gjithësinë, duke shmangur interesat jo të pastërta dhe keqkuptimet mbi një argument kaq të rëndësishëm”.







All the contents on this site are copyrighted ©.