2010-12-03 17:20:17

Në Sheshin e Shën Pjetrit u lartua sot Bredhi i Krishtlindjes, dhuratë e komunes së Luzonit.


(03.12.2010 RV)Mbërrijti sot në Sheshin e Shën Pjetrit, Bredhi i Krishtlindjes: vjen nga Komuna e Adigjes së Epërme, në provincën e Bolzanos, pranë Bresanones. Është bredh i kuq, 93 vjeçar, 26 metra i gjatë.
Ky bredh, i prerë pa dëmtuar jetën e pyllit, i zbukuruar këndshëm, do të rrijë pranë Shpellës së Betlehemit deri në përfundim të festimeve të Krishtlindjes, për t’u admiruar nga shtegtarët e shumtë, që do të vijnë këto ditë në Vatikan nga të katër anët e botës. Simbol kuptimplotë i Lindjes së Krishtit, sepse me gjethet gjithnjë të blerta na kujton jetën që nuk vdes, bredhi është edhe simbol i përshpirtërisë popullore. Do të ketë, më pas, edhe vlerë shoqërore: do t’u dhurohet shoqatave ose bashkësive, që krijojnë objekte artistike në dru, të cilat pastaj do të shërbejnë për qëllime bamirësie.
Bredhi i Krishtlindjes si shenjë e jetës dhe e përshpirtërisë popullore, është simbol që duhet ruajtur. Bredhi ashtu si dhe Shpella e Betlehemit kanë elemente tipike të asaj atmosfere të Krishtlindjes, që bën pjesë në trashëgiminë shpirtërore të bashkësive tona. Është atmosferë feje e gëzimi në familje, të cilën duhet ta ruajmë në shoqëritë e sotme, ku nganjëherë të krijohet përshtypja se mbisundon gara e konsumizmit, që i shtyn njerëzit të kërkojnë vetëm vlerat materiale. Krishtlindja është festë e krishterë dhe simbolet e saj – Shpella e Betlehemit e Bredhi i zbukuruar me dhurata – na kujtojnë posaçërisht misterin e mishërimit e të Lindjes së Krishtit, Mbretit të Universit.
Bredhi u lartua sot paradite, pak para orës 9.00, pranë Shpellës së Betlehemit, në përfundim e sipër. Do të përurohet më 17 dhjetor. Kremtimin e përurimit do ta kryesojë kardinali Gjovani Lajolo, kryetar i Governatoratit të Qytet-Shtetit të Vatikanit.
Tradita filloi që në vitin 1982, sipas dëshirës së shprehur nga Papa Gjon Pali II. Që atëherë, në përkujtim të Lindjes së Zotit, në këmbët e Obeliskut të Vatikanit e në kornizën madhështore të shtyllnajës së Berninit, ngrihet çdo vit një Shpellë e re Betlehemi, sipas modeleve marrë nga kryeveprat e pikturës ose të letërsisë botërore kushtuar ngjarjes më të madhe të historisë së njerëzimit: Mishërimit të Zotit. Për realizimin mendon Komisioni Papnor për Qytet-Shtetin e Vatikanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.