Ndërroi jetë kardinali Mikele Xhordano. Papa: “I shërbeu bujarisht Ungjillit e Kishës”.
(03.12.2010 RV)Mbrëmë vonë, në spitalin Monaldi të Napolit, ku ishte shtruar
javën e kaluar, ndërroi jetë kardinali Mikele Xhordano, kryeipeshkëv nderi i qytetit
italian, në moshën 80 vjeçare. Papa, në një telegram drejtuar kardinalit Kreshencio
Sepe, kryeipeshkëv aktual i Napolit, shpreh ngushëllimet për vdekjen e Prelatit të
lartë i cili – thekson Benedikti XVI – i shërbeu bujarisht Ungjillit e Kishës, përmes
një veprimtarie të palodhshme baritore. Mesha e Dritës, kryesuar nga kardinali
Sepe, do të kremtohet nesër, në orën 16. 30, në Bazilikën e Zojës së Kurozëzuar,
në Kapodimonte, ku është vendosur për homazhe trupi i kardinalit të ndjerë e ku edhe
do të varroset. Mikele Xhordano u krijua kardinal nga Papa Gjon Pali II, në Koncistorin
e qershorit 1988. Ishte Kryeipeshkëv nderi i Napolit, që nga 20 maji i vitit 2006.