2010-12-02 13:52:14

“Drejt Krishtlindjes: shtegtim atje, ku dashuria e Zotit iu dëftua mbarë botës”


(02.12.2010 RV)Shtegtuam, në meditimin e kaluar, në vise e kohë, duke lexuar historinë e Adventit. Në vijim të këtij shtegtimi, ndalemi sot në trojet e lashta ilire. Ashtu si mbarë krishterimi antik, edhe trojet e Ilirisë së moçme nisën ta kremtonin Krishtlindjen, kur kaluan nga paganizmi, në krishterim. Kështu, përgatitja për ardhjen e pranverës, u bë përgatitje për ardhjen e Zotit e Nata e Buzmit, Natë e Shën Kndellës. Natë e Lindjes së Krishtit, që vjen pikërisht për të këndellë gjithçka. E Buzmi bujar u bë simbol i kohës e re, Kohës së Ardhjes së Zotit, kohë pritjeje, kohë përgatitjeje me uratë e me kreshëm, ashtu si mbarë bota e krishterë. Nisi, pra, të përkonte me atë të Kishës universale, sadoqë në ato kohë komunikimi nuk ishte aspak i lehtë. Sidomos me malet tona, ku zu rrënjë, më shumë se kudo, feja e re. E shohim këtë në fjalët e përshëndetjes së Buzmit, kur i zoti i shtëpisë, me kupën e rakisë në dorë, i falej Buzmit bujar me fjalët “T’falem, Buzmi Bujar! Un po t’falem me krezhmí, ti m’u fal me bulshí!”.
Fjalët ‘krezhmí” e ‘bulshí”, tregojnë se pas Kohës së pritjes, kohë urate e krezhmie, niste festa, kur hahej “me dy bulshij”. E ende sot në vatrat malësore katolike, Natën e Krishtlindjes agjërohet. Hahet laknuer petash të grunjta me arra, ndërsa në hell rrotullohet ferliku, për Ditën e Madhe.
E urohet, duke iu drejtuar tre trungjeve, prerë nga një arrë dy vjeçe, që nisin të ndriçojnë shtëpinë, si simbol i Dritës së Zotit: “Ti me na i falë e me na i bâ nafakë”. Urim ky, që mbetet gjithnjë i freskët edhe në këtë Kohë të Ardhjes, kur populli i Buzmit i lutet Krishtit Fëmijë t’i sjellë një pranverë të re, me gjeth e me bar, me gjâ e me mall e me gjitha të mirat e Zotit!







All the contents on this site are copyrighted ©.