2010-12-02 15:57:08

Imzot Silvano Maria Tomazi: "jo" stereotipeve për emigrantët


(02.12.2010 RV)Duhet të shtohen përpjekjet për të hedhur poshtë stereotipet mbi emigrantët e i duhet prerë rruga prirjes për të injoruar kontributin e tyre të madh. Kështu foli të martën, vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në zyrën e OKB-së në Gjenevë, imzot Silvano Maria Tomazi, para asamblesë së 99-të të Këshillit të Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin.
Zgjatja e krizës ekonomike, theksoi prelati, ka ndikuar negativisht në shumë sektorë të shoqërisë. Edhe emigrantët kanë vuajtur nga kjo, pasi janë vënë më tepër kufizime, janë forcuar kontrollet në kufi dhe nuk janë rinovuar lejet e qëndrimit. Nganjëherë këto masa janë marrë për arsye sigurie, por shpesh, për t’iu përgjigjur shqetësimeve të opinionit publik. Kështu, është ushqyer frika e refuzimi i të huajve, duke menduar gabimisht se emigrantët janë kërcënim për vendin e punës e për kohezionin kombëtar. Është një imazh i shtrembëruar i emigrantëve, denoncoi imzot Tomazi, që fatkeqësisht, ndikon në politikën kundrejt tyre. Që këtej, kërkesa për shtimin e përpjekjeve, që të respektohen të drejtat e emigrantëve. Vetëm bashkëpunimi ndërmjet vendeve të botës dhe një planifikim global, përfundoi vëzhguesi i Selisë së Shenjtë, mund të kanalizojë emigracionin e rregullt e t’ia presë udhën trafikut të paligjshëm, duke i bërë emigrantët partnerë në zhvillimin e përbashkët ekonomik.








All the contents on this site are copyrighted ©.