2010-12-02 17:42:01

Dita e fundit e takimit të OSBE në Kazakistan. Debate për konfliktin ruso –gjeorgjian.


(02.12.2010 RV)Dita e fundit e takimit të 58 vendeve anëtare të OSBE (Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë) në Astana, Kazakistan, iu kushtua tërësisht hartimit të dokumentit përfundimtar. Qëllimi i këtij takimi ishte nxitja e mëtejshme e kësaj organizate për të krijuar një “hapësirë të vetme mbrojtjeje” në kontinentin evro-aziatik. Debatet sot u përqëndruan në të ashtuquajturit “konflikte të pezulluara”, si ai ruso-gjeorgjian për Osetinë e Jugut, ai armeno-azerbajxhanas për Nagorno-Karabakun dhe ai moldavo-ukrainas për Transnistrinë. Në veçanti ajo çka ngjalli pakënaqësinë e rusëve ishte koncepti i integritetit territorial i Gjeorgjisë. Mbi shkaqet që i acarojnë marrëdhëniet ruso-gjeorgjiana, pas luftës së fundit, në mikrofonin tonë flet studjuesi i kulturës dhe i historisë ruse Vitorio Strada:

Përgjigje: Ka qenë gjithmonë një çështje e hapur, që në momentin kur integriteti territorial i Gjeorgjisë nuk ekziston më. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, u respektuan kufijtë e secilës republikë. Në rastin e Gjeorgjisë, dy pjesë të saja Abhazia dhe Osetia e jugut shpallën autonominë dhe pas luftës së 2008 u kthyen në protektorate të Rusisë, me baza ushtarake ruse. Ky është problemi. Gjeorgjia dëshiron ta mbrojë integritetin e vendit e po në të njëjtën mënyrë u pat sjellë Rusia, atëherë kur Çeçenia donte të shkëputej. Forca me të cilën Çeçenia u detyrua të bashkohej prap me Rusinë i ka dhënë Gjeorgjisë, pavarësisht se përpjekja dështoi, mundësinë për të pohuar sovranitetin e saj në këto dy zona që janë pjesë e territorit të vet.







All the contents on this site are copyrighted ©.