2010-12-02 15:40:54

Benedikti XVI ambasadorit të ri hungarez: Evropa nuk do të ishte e tillë, nëse martesa, qelizë bazë e shoqërisë, do të zhdukej, ose shndërrohej


(02.12.2010 RV)Sot paradite, Papa Benedikti XVI priti në audiencë ambasadorin e ri të Hungarisë në Vatikan, zotin Gàbor Gjërivani, i cili paraqiti letrat kredenciale. Hungaria, i tha atij Ati i Shenjtë, ofron një kontribut të rëndësishëm në Bashkimin Evropian, është ndërmjetësuese mes Perëndimit e Lindjes. Vitin e ardhshëm, do t’i takojë pikërisht Budapestit të marrë në dorë presidencën e Këshillit të Evropës, për herë të parë. Pastaj, Papa uroi që Kushtetuta e re hungareze të frymëzohet nga vlerat e krishtera, sidomos përsa i përket familjes dhe martesës.
“Martesa – kujtoi Benedikti XVI – i ka dhënë Evropës aspektin dhe humanizmin e saj të veçantë, pikërisht sepse i është dashur të mësojë e të zbatojë vazhdimisht vlerat e besnikërisë dhe të sakrificës”. Evropa nuk do të ishte më e tillë, nëse kjo qelizë bazë e shoqërisë do të zhdukej, ose do të ndryshohej thellësisht. Martesa dhe familja, vazhdoi Papa, vuajnë sot pikërisht nga mungesa e qëndrueshmërisë dhe e pazgjidhshmërisë, për shkak të liberalizimit në rritje të së drejtës për divorc, të përhapjes së bashkëjetesës e të bashkimeve të llojeve të ndryshme, që nuk kanë asnjë themel në historinë e kulturës dhe të së drejtës evropiane.
Kisha, shtoi Ati i Shenjtë, nuk mund të miratojë nisma legjislative, që përfshijnë vlerësimin e modeleve alternative të jetës bashkëshortore e të familjes. Këto modele kontribuojnë në dobësimin e parimeve të së drejtës natyrore e për rrjedhojë, në relativizimin e legjilsacionit dhe të vlerave të shoqërisë.
Papa kujtoi se edhe Hungaria, si shumë vende të Evropës Lindore, ka vuajtur nën regjimin komunist. Uroj, tha Benedikti XVI, që plagët e thella të atij këndvështrimi materialist mbi njeriun të shërohen në një klimë paqeje, lirie e respekti për dinjitetin njerëzor. Feja katolike, vërejti Ati i Shenjtë, është një nga shtyllat e historisë së Hungarisë. Respekti për drejtësinë dhe virtytet njerëzore të mbretit të madh hungarez, shën Shtjefnit, qofshin pikë referimi, sot si atëherë, për të gjithë ata që kanë në dorë një rol qeverisës, përfundoi Papa Racinger.








All the contents on this site are copyrighted ©.