“Drejt Krishtlindjes. Shtegtim atje, ku dashuria e Zotit iu dëftua mbarë botës”: një
faqe historie.
(01.12.2010 RV)Po vijojmë meditimin tonë, në rrugën drejt Krishtlindjes, duke
shfletuar një faqe të lashtë historie. Në të lexojmë se Koha e përgatitjes për ardhjen
e Zotit zëvendësoi një festë tjetër, pagane, me të njëjtin emër: “Adventus”, apo “Parusia”,
fjalë, kjo e fundit, që vjen nga greqishtja e do të thotë prani, sepse festa e lashtë
simbolizonte pikërisht praninë e përditshme të hyjnive në jetën e njeriut e, njëkohësisht
edhe përvjetoret e vizitave të Perandorit, i cili asokohe konsiderohej si perëndi. Krishtlindja
nisi të kremtohej për herë të parë në Romë, në shekullin IV, ndërsa koha e përgatitjes
për festën e madhe, që ndërroi natyrë por jo emër, e u quajt “Adventus”, nisi të kremtohej
dy shekuj më vonë. Lindi në ngjasim të Kreshmëve, sepse që në fillim Krishtlindja
u konceptua si kremtim i Ringjalljes së Krishtit, ditën kur përkujtohet ditëlindja
e Zotit në Shpellën e vogël e të mjerë të Betlehemit. Në vitin 380, Koncili i Saragozës,
vendosi që gjatë kësaj Kohe, besimtarët të mblidheshin çdo ditë e të përgatiteshin
shpirtërisht për festën. Më pas, Kohës së Pritjes iu kushtuan disa javë e, ashtu
si në Kohën e Kreshmëve, besimtarët nisën të përgatiten me lutje e agjërim. Prej këndej,
kjo Kohë në zanafillë u quajt “Kreshmët e Shën Martinit”, sepse agjërimi niste më
11 nëntor. E dëshmon këtë Gregori i Turit, rreth shekullit VI. Asokohe Adventi kremtohej
duke nisur nga 17 dhjetori, deri më 6 janar, në festën e Dëftimit të Zotit. Është
solemniteti, që mbyll radhën e festave të mëdha, të cilat e mbushin plot me dritën
e ngrohtësinë e Shpellës së Betlehemit e të Bredhit vezullues, zymtinë e zemrës së
ngrirë të dimrit. E edhe të zemrës së njeriut, që mbështillet mbrenda një indi rrezesh!