Papa në audiencën e përgjithshme: “Njeriu që beson në dashurinë e Zotit, nuk mbetet
kurrë i zhgënjyer”.
(01.12.2010 RV)“Njeriu, që beson në dashurinë e Zotit, nuk do të mbetet kurrë
i zhgënjyer, sepse premtimet e Hyjit ua kalojnë gjithnjë shpresave tona”. Me këto
fjalë Benedikti XVI e përfundoi sot katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur
në Sallën e Palit VI, në Vatikan. Ia kushtoi mistikes angleze, Gjuliana Norviç, që
jetoi ndërmjet viteve 1342-1430 e që vuri në dukje ngrohtësinë amtare të dashurisë
së Zotit për njerëzimin.
“Optimizmi
në jetë lind nga siguria se Zoti na do”. Mund ta përmbledhim në këtë frazë përvojën
e natyrshme e të mbinatyrshme të Nënë Gjulianës, epitet që e lexojmë mbi rrasën e
varrit, ku pushon në paqe Gjuliana e Norviçit. Nënë, sepse sa ishte gjallë, qe pikë
shpirtërore referimi për shumë njerëz– shpjegoi Benedikti XVI. Duke jetuar si vetmitare,
e mbyllur në qeli, mistikja fitoi një ndjeshmëri të hollë njerëzore e fetare. E
kështu – vërejti Papa – u ndodh edhe sot burrave e grave, që tërhiqen në vetmi, për
të jetuar në shoqëri me Hyjin. E pikërisht falë kësaj vetmie, fitojnë ndjenjën e thellë
të mëshirës për fajet e ligështitë e të tjerëve: “Miq e mikesha të Zotit,
kanë një urti që bota, nga e cila largohen, nuk mund ta ketë e, plot ëmbëlsi, e ndajnë
me të gjithë ata, që u trokasin në portë. Mendoj, prandaj, me admirim e mirënjohje,
për manastiret femërore e mashkullore të klauzurës që, sot më shumë se kurrë, janë
oaza të paqes e të shpresës, thesar i çmuar për mbarë Kishën, posaçërisht sepse të
kujtojnë primatin e Zotit e rëndësinë e lutjes së përhershme e të thellë, themelore
për rrugën e fesë”. Kuptimin e gjashtëmbëdhjetë zbulesave, që pati në vitin
1373 e që edhe i përshkroi në librin e saj, Gjulianës së Norviçit do t’ia shpjegonte
vetë Zoti, 15 vjet më vonë. Ky libër - tha Papa - vijon të na përcjellë një mesazh
optimizmi, të bazuar mbi sigurinë se Zoti na do, se Provania e tij na mbron: “Tema
e dashurisë hyjnore rikthehet shpesh në vegimet e Gjulianës së Norviçit që, me guxim,
nuk ngurroi ta krahasojë atë, me dashurinë amtare. E ky është një nga mesazhet më
karakteristike të teologjisë së saj mistike. Dashuria, meraku, ëmbëlsia e mirësia
e Zotit për ne janë aq të mëdha sa, neve shtegtarë mbi tokë, na kujtojnë dashurinë
e nënës për fëmijët”. Kuptimi i thellë e progesiv i këtij realiteti të
dashurisë së Zotit për njeriun – vërejti Benedikti XVI – e ndihmoi mistiken të kuptojë
mesazhin kryesor për jetën e të krishterëve të çdo epoke: “Zoti është dashuri
e vetëm kur ia hap plotësisht zemrën kësaj dashurie dhe e shikon atë si prijësen
e vetme të jetës, gjithçka shndërrohet: njeriu gjen paqen e vërtetë e gëzimin e vërtetë,
duke fituar edhe aftësinë për t’i rrezatuar rreth vetes”. Mistikja u përgjigjet
edhe atyre, që vijojnë të pyesin me ankth, në rrjedhë shekujsh: “Në se Zoti është
e mira e urtia e pambaruar, pse atëhere, ekziston e keqja? E pse pikërisht njerëzit
e pafajshëm vuajnë më shumë prej saj?”: “Edhe shenjtorët e bënë këtë pyetje.
Të ndriçuar nga feja, na japin një përgjigje, që na e mbush zemrën me besim e shpresë:
në planet misterioze të Provanisë hyjnore, Zoti di të nxjerrë edhe nga e keqja, një
të mirë më të madhe. Gjuliana Norviç shkruante: “Mësova nga hiri i Zotit, se duhet
të mbështetesha pa lëkundje në fe e, prej këndej, edhe të besoja pa mëdyshje se e
keqja, sado e madhe të jetë, nuk mund ta mposhtë të mirën. Në fund të fundit e mira
do të ngadhënjejë patjetër. (Libri i Zbulesave, kap. 32, fq 173). Prej
këndej – përfundoi Benedikti XVI - buron optimizmi i mistikes së vjetër, që mbetet
përsosurisht moderne, pikërisht për sigurinë e saj, të cilën ua ofron edhe besimtarëve
të sotëm: “Premtimet e Zotit janë gjithnjë shumë më të mëdha se shpresat
tona. Në se i lëmë në dorë të Zotit, duke ia besuar mëshirës së tij të pambaruar dëshirat
më të pastra e më të thella të zemrës sonë, nuk do të mbetemi kurrë të zhgënjyer.
Gjithçka do të jetë e mirë! Do të jetë për të mirë! Do të përfundojë mirë. E ky është
edhe mesazhi kryesor, që na përcjell Gjuliana e Norviçit e që edhe unë jua propozoj
sot”. Ndërmjet 3. 500 shtegtarëve, mbledhur në Sallën e Palit VI për audiencën
e parë të përgjithshme të Kohës së Ardhjes, Benedikti XVI përshëndeti posaçërisht
grupin e rregulltareve, Bija të Shën Marisë së Provanisë, themeluar nga i Lumi Luigji
Guanela, mbledhur në Kapitullin e tyre të përgjithshëm. Më pas, edhe delegacionin
e Aeroportit Ndërkombëtar romak të Fiumiçinos, shoqëruar nga ipeshkvi i Porto-Santa
Rufinës, imzot Xhino Reali. Zoja e Loretos – u tha Papa – ju ruajtë gjatë punës
suaj në tokë e në qiell”.