Papa: Shën Andreu na mësoftë ta ndjekim Krishtin me gatishmëri e t’u flasim edhe të
tjerëve me entuziazëm për Të.
(30.11.2010 RV)Sot Kisha feston Shën Andreun Apostull, të cilit Papa i ka kushtuar
katekizmin e audiencës së përgjithshme të 14 qershorit 2006. Andreu, vëllau i
Pjetrit, qe i pari ndërmjet Apostujve, që u thirr për ta ndjekur Jezusin. Pikërisht
në saje të lidhjes së tyre vëllazërore Kisha e Romës dhe e Kostantinopojës janë vërtetë
motra. Për t’i theksuar më shumë këto marrëdhënie, Pali VI ia ktheu, më 1964, reliken
e Shën Andreut, deri asokohe ruajtur në Bazilikën e Vatikanit, ipeshkvit metropolit
ortodoks të qytetit Patras në Greqi ku, sipas traditës, u kryqëzua Apostulli. Mbi
këtë bazë liturgjia e Kishës bizantine e nderon me titullin Protóclitos, që do të
thotë pikërisht ‘i thirruri i parë’. Sipas një tradite tepër të lashtë, është Andreu
apostulli që ia kumtoi Jezusin botës greke. Pjetri, nga Jeruzalemi, përmes Antiokisë,
arriti në Romë për të ushtruar misionin e tij universal; ndërsa Andreu qe apostull
i botës greke: ata, në jetë e në vdekje, i shikojmë gjithnjë si vëllezër të vërtetë
– të lidhur me një vëllazëri që shprehet simbolikisht në lidhjen e posaçme të Selive
të Romës e të Kostantinopojës, Kisha vërtetë motra. Pas Pjetrit dhe përvojës së
tij të jashtzakonshme njerëzore e shpirtërore, edhe Andreu, peshkatar si i vëllai,
Simoni, njeri plot fe e shpresë, dishepull i Shën Gjon Pagëzuesit, në kërkim të Mesisë,
takohet me Krishtin. E menjëherë pas këtij takimi, vrapon te Simon-Pjetri për t’i
thënë: “E kemi gjetur Zotin”. Ky është porteti i Andreut Apostull, sipas katekizmit
të Papës. Pas Shën Pjetrit, Shën Andreu, që do të gëzonte nderim të thellë në gjirin
e bashkësive të para të krishtera, do të kumtonte i pari Ungjillin ndërmjet grekëve,
duke lidhur me një lidhje të posaçme dy Kishat: atë romake me atë bizantine. Përmes
fragmenteve të Ungjijve, që flasin për veprimtarinë apostolike të Andreut, mund ta
njohim së afërmi personalitetin e Apostullit, realizmin e tij në shumëzimin e bukëve,
kur flet për djaloshin që kishte shportën me bukë e peshq e vë në dukje se ishin tepër
pak për të ngopur turmën. Ose kur, së bashku me Pjetrin, Jakobin e Gjonin, e pyet
Jezusin për rrenimin e Tempullit, duke i krijuar kështu mundësinë të shqiptojë një
fjalim të rëndësishëm mbi mbarimin e kohëve. E duke e kujtuar këtë ngjarje, mund
të arrijmë në përfundimin se nuk duhet të kemi frikë t’i bëjmë pyetje Jezusit por,
njëkohësisht, se duhet të jemi gati t’i pranojmë mësimet që na jep Zoti, edhe kur
na duken të çuditshme e të vështira. Është një mësim themelor ky, që Shën Andreu
ua jep të krishterëve kur, në Patras, përballon vdekjen mbi kryq, mbi kryqin në formë
iksi, të cilin ai nuk e shikon si një vegël torture, por si mjet të pakrahasueshëm
për t’u bërë një me Krishtin. Ne duhet të marrim prej këndej një mësim tepër të
rëndësishëm: kryqat tonë fitojnë vlerë, në se i mbartim si pjesë të kryqit të Krishtit.
Vetëm nga ky Kryq edhe vuajtjet tona fisnikërohen e fitojnë kuptimin e tyre të vërtetë.
Andreu Apostull na mëson ta ndjekim Krishtin me gatishmëri, t’u flasim me entuziazëm
për Të të gjithë atyre që takojmë e, mbi të gjitha, të mbajmë kurdoherë një lidhje
vërtetë familjare me Të, të vetëdijshëm se vetëm në Të mund të gjejmë kuptimin e fundit
të jetës sonë e të vdekjes sonë.