2010-11-30 15:06:51

Papa mbështet fushatën evropiane kundër shpërdorimeve me fëmijët


(30.11.2010 RV)Papa Benedikti XVI shprehu mbështetjen e tij të fuqishme për fushatën e re, që filloi dje Këshilli i Evropës, me objektiv luftën kundër dhunës mbi të miturit dhe përmirësimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për t’ia dorëzuar fajtorët drejtësisë.
Kardinali Renato Rafaele Martino, ish-Vëzhgues i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara, mori pjesë në promovimin e nismës dhe theksoi se Papa inkurajon gjithë veprimtarinë kundër dhunës seksuale ndaj të miturve. Prelati, duke pranuar fajet e anëtarëve të Kishës Katolike në këtë fushë, kritikoi sulmet e vazhdueshme – siç tha ai – pikërisht kundër institucioneve, që kanë zgjedhur rrugën e transparencës. Benedikti XVI, shpjegoi kardinal Martino, e ka përballuar realitetin e krimeve seksuale mbi të miturit me vuajtje, por edhe me qartësi, me vendosmëri e me dorë të fortë. Kisha, vazhdoi kardinali, uron që programi evropian të sjellë sa më shumë fryte e shpreson në bashkëpunimin sa më të gjerë ndërmjet të gjitha forcave në lojë.
Zv.sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Maud de Boer Bukuikio kujtoi se në Evropë, një ndër pesë fëmijë është viktimë e abuzimeve seksuale. Programi parashikon një seri reklamash, librash e materialesh për fëmijët në moshën 4-7 vjeç, me qëllim shpjegimin e kufirit ndërmjet shprehjeve të dashurisë dhe abuzimit, si edhe inkurajimin për të thënë “jo”. Përsa u përket institucioneve fetare, funksionari i Këshillit të Evropës theksoi se është e nevojshme, që sa më shpejt të vendosen në to personat e duhur, para se të jetë tepër vonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.