2010-11-30 15:00:58

Mesazh i Papës për Bartolomeun I në festën e shën Andreut: të krishterët duhet ta dëshmojnë Krishtin sëbashku


(30.11.2010 RV)RealAudioMP3 Të ecim në rrugën drejt bashkimit të plotë: ky është mesazhi i Papës për Patrikun Bartolomeu I, me rastin e festës së sotme të Shën Andreut, pajtor i Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës. Dokumenti u dorëzua nga kreu i dikasterit vatikanas për bashkimin e të krishterëve, kardinali Kurt Koh, i cili ndodhet në Stamboll sëbashku me një delegacion të Selisë së Shenjtë, për festën e shën Andreut.
Ky kremtim, shkruan Benedikti XVI, është ftesë për të rinovuar besnikërinë tonë ndaj mësimeve të Apostujve, duke e shpallur pa u lodhur fenë në Krishtin, me fjalë e me dëshminë e jetës. Në kohën tonë, kjo ftesë është urgjente dhe përfshin gjithë të krishterët. Zoti i Ringjallur, vazhdon Papa, është përgjigjia jonë për aspiratat më të thella shpirtërore të njerëzve të sotëm. Për realizimin e kësaj detyre, duhet të ecim drejt bashkimit të plotë e duhet të tregojmë se i kemi bashkuar tashmë forcat për dëshminë e përbashkët të Ungjillit para bashkëkohësve. Në fund, Papa i shpreh mirënjohjen Bartolomeut I për mikpritjen, që u ofroi delegatëve të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, të cilët u mblodhën në tetor në Rodi sëbashku me përfaqësuesit e Kishave ortodokse evropiane për Forumin II katoliko-ortodoks me temë: “Marrëdhëniet Kishë-Shtet: perspektiva teologjike e historike”.
Siç e thamë, kardinali Kurt Koh me një delegacion nga Vatikani ndodhet në Stamboll për Festën e Patriarkatit Ekumenik. Vizita bëhet në kuadrin e shkëmbimeve për festat e pajtorëve të të dy selive: më 29 qershor në Romë për kremtimin e shën Pjetrit e shën Palit dhe më 30 nëntor në Stamboll për kremtimin e shën Andreut. Sot paradite, Liturgjia Hyjnore në Stamboll ne kishën e Fanarit u kryesua pikërisht nga Bartolomeu I. Gjithashtu delegacioni vatikanas u takua me Patrikun dhe me Komisionin sinodal, të ngarkuar për marrëdhëniet me Kishën Katolike. Por le të flasim për shën Andreun, përmes reflektimeve të Papës në audiencën e 14 qershorit 2006.
“Kemi gjetur Mesinë”: ky është lajmi i jashtëzakonshëm, që Andreu i jep të vëllait më të madh, Pjetrit. Prandaj, kujton Benedikti XVI, shën Andreu, në Kishën bizantine, quhet “protoklit”, apo “i thirrur i pari”. Papa nënvizon se njësoj si Pjetri e Andreu, edhe Roma e Kostandinopoja kanë ndërmjet tyre marrëdhënie të veçanta, janë Kisha motra. Njeri, që i merr në sy rreziqet, vazhdon akoma Papa, shën Andreu është dëshmitar i guximshëm i fesë, u çon të tjerëve me entuziazëm Lajmin e Mirë. Një shembull, që duhet ta ndjekim edhe sot:
“Shën Andreu Apostull na mësoftë ta ndjekim Krishtin me gatishmëri, të flasim me entuziazëm për Të atyre që takojmë, e sidomos, të mbajmë marrëdhënie të vërteta familjare me Të, të vetëdijshëm se vetëm tek Krishti mund të gjejmë kuptimin e fundmë të jetës e të vdekjes”.
Andreu, vazhdon reflektimin Papa, është edhe apostulli, që nuk ka frikë t’i bëjë pyetje Jezusit. E pyet për shembull si mund ta shuajnë urinë e një morie njerëzish pesë bukë e dy peshq, ose kur do të shkatërrohet Tempulli i Jeruzalemit. Edhe në këtë rast, shën Andreu na tregon një mënyrë personale për t’i përjetuar marrëdhëniet me Krishtin:
“Nga kjo mund të themi, si pasojë, se nuk duhet të kemi frikë t’i bëjmë pyetje Jezusit, por njëkohësisht, duhet të jemi të gatshëm t’ia pranojmë mësimet, që na ofron, edhe kur janë të papritura e të vështira”.
Pjetri në Romë, Andreu në Greqi. Dy vëllezërit, thotë Papa, bashkohen nga dëshmia ungjillore dhe martirizimi. Të dy, të thirrur të jenë peshkatarë njerëzish, do të vdesin në Kryq, njëlloj si Krishti. Shën Andreu na tregon se Kryqi është i lum, sepse është rruga e shëlbimit tonë:
“Ne duhet të mësojmë nga kjo diçka shumë të rëndësishme: kryqet tona marrin vlerë, vetëm nëse konsiderohen dhe pranohen si pjesë e Kryqit të Krishtit, vetëm nëse ndriçohen nga rrezet e dritës së Tij. Vetëm nga ai Kryq, vuajtjet tona fisnikërohen dhe marrin kuptimin e tyre të vërtetë”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.