2010-11-30 15:03:25

Imzot Veliò në konferencën e Senegalit mbi emigracionin femëror: gratë shfrytëzohen, qeveritë të mbrojnë të drejtat e tyre


(30.11.2010 RV)Dy milion gra shfrytëzohen, nganjëherë edhe rëndë, vetëm e vetëm sepse janë të detyruara të emigrojnë nga vendi i origjinës. Një masë “e padukshme”, që ka nevojë për mbrojtje. Kryetari i Këshillit Papnor për Baritorinë e Emigrantëve dhe Endacakëve, imzot Antonio Maria Veliò e ngriti zërin për këtë në konferencën, që po zhvillohet në Seli të Senegalit, me temë “Fytyra femorërore e emigracionit”. Takimi, që do të përfundojë më 2 dhjetor, është organizuar nga Karitasi Ndërkombëtar.
Ka vende ku emigracioni femëror e ka tejkaluar atë mashkullor. Imzot Veliò u shpreh qartë: në asnjë vend të botës nuk ka akoma ligje për lejen e lindjes, që të marrin parasysh faktin se gra nga vende të ndryshme e konceptojnë këtë periudhë në mënyra të ndryshme. Qeveritë, vazhdoi më tej kreu i dikasterit vatikanas për emigracionin, duhet të ndërhyjnë në mbrojtje të grave me ligje kundër abuzimeve në punë, kundër abuzimeve seksuale, me norma që sigurojnë mundësinë e përdorimit të shërbimeve shëndetësore, të strehimit, të bashkimit familjar e të asistencës për nënat e reja. Ndërkaq, vetëm 42 shtete e kanë ratifikuar Konventën ndërkombëtare për mbrojtjen e punëtorëve emigrantë dhe të familjeve të tyre.
Imzot Veliò kujtoi se pjesa më e madhe e grave emigrante bëjnë punë shtëpie, u shërbejnë të moshuarve ose fëmijëve. Por shpesh kjo është punë pa dokumenta, gratë shfrytëzohen dhe me to abuzohet. 4 milion gra në botë, gjysma e të cilave jo në moshën madhore, kanë hyrë në trafikun e prostitucionit, i cili kap fitime prej 12 miliard dollarësh në vit. “Mundësia e pamjaftueshme për pjesëmarrjen shoqërore, politike dhe kulturore, që shoqëria civile i garanton sot gruas – përfundoi imzot Veliò – ndikon në bashkësitë tona të krishtera, të cilat janë të thirrura të vlerësojnë para së gjithash vlerat, jetën e përditshme dhe kulturën e çdo gruaje emigrante”.








All the contents on this site are copyrighted ©.