2010-11-29 18:47:40

Në të Dielën e parë të Kohës së Ardhjes, Papa flet për pritjen, shpresën, vlerën e jetës së re, që lind.


(29.11.2010 RV)“Lartësia jonë morale e shpirtërore mund të matet me atë që presim, me atë që shpresojmë” – Janë fjalët e Benediktit XVI në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot. Ati i Shenjtë u kujtoi, kështu, besimtarëve se dje, e diela e parë e Kohës së Ardhjes, Kisha filloi një Vit të ri liturgjik, “një udhë të re feje”. Më pas, një mendim për vlerën e jetës së re, për foshnjën, që pritet të dalë në dritë.RealAudioMP3

Në të Dielën e parë të Ardhjes, Benedikti XVI foli për këtë kohë jo të zakonshme, kohë e pritjes, çast i fuqishëm feje. Nuk është fjala për kohë abstrakte, të paperceptueshme nga njeriu i sotëm. Jo! Është aspekt thellësisht njerëzor, që jetohet edhe në të përditshmen e secilit nga ne:
“Pritja, shpresa, është përmasë që përshkon gjithë jetën tonë personale, familjare e shoqërore. Pritja është e pranishme në mijëra situtata, duke nisur nga më të voglat, më të rëndomtat, deri tek ato më të rëndësishmet, që na prekin tërësisht e thellësisht. Ndërmjet tyre, të mendojmë pritjen e foshnjës nga bashkëshortët e rinj; pritjen e një miku të shumëdashur, që vjen të na takojë nga larg; djaloshin, që pret rezultatet e një provimi, vendimtar për ardhmërinë e tij, ose pritjen e përfundimit të një bisede pune; të një bisede miqësore, të një takimi me njeriun e dashur; pritjen e një letre e, sidomos, pritjen e ndjesës, kur kërkojmë falje...”.
Derisa ka pritje, ka edhe jetë; ku ka jetë, ka edhe shpresë. Këtë nënvizoi Papa e shtoi: “Njeriu mund të njihet pikërisht nga ajo që pret”. Prej këndej, ftesa për të shikuar jo përjashta, po përbrenda vetes, në thellësitë e shpirtit:
Secili nga ne, prandaj, posaçërisht në këtë kohë, që na përgatit për Krishtlindje, mund t’i bëjë vetes pyetjen: “Po unë, ç’ pres? Për çka e për kë më rreh zemra në këtë çast të jetës sime? Këtë pyetje mund t’ia bëjë vetes edhe familja, bashkësia, kombi. Çfarë presim së bashku? Ç’i bashkon dëshirat tona, ç’ gjë na afron?”.
Para se të lindte Jezusi, në Izrael ishte tejet e fuqishme pritja e Mesisë, pritja e të Shuguruarit, e pasardhësit të Davidit Mbret, që do ta çlironte, më në fund, popullin e vet nga çdo skllavëri morale e politike e do të rivendoste Mbretërinë e Hyjit. Papa e kujtoi këtë kohë të largët, për të nënvizuar se pritja, që kemi në zemër, e tejkalon çdo parashikim njerëzor:
“Askush nuk do ta kishte përfytyruar se Mesia do të lindte nga një vashë e përvuajtur, si Maria, e fejuara e Jozefit të drejtë. As ajo vetë nuk do të kishte guxuar kurrë ta mendonte një gjë të tillë, ndonëse në zemrën e saj pritja e shëlbuesit ishte aq e madhe, feja e shpresa, aq të flakta, sa Zoti gjeti në të një nënë të denjë. Pa harruar se Ai vetë e pati përgatitur këtë Vashë, para të gjithë shekujve”.
Si e pse? Benedikti XVI vuri theksin mbi harmoninë misterioze:
Kishte një harmoni misterioze ndërmjet pritjes së Hyjit e pritjes së Marisë, krijesës hirplote, krejtësisht të tejpashme në planin e dashurisë të të Tejetlartit. Të mësojmë prej saj, prej Vashës në pritje, për t’i jetuar gjestet e përditshme me një shpirt të ri, me ndjenjën e shpresës plot etje, të cilën mund ta shuajë vetëm Zoti”.
Pas lutjes mariane, përshndetjet në gjuhë të ndryshme: në disa prej tyre, u theksua vlera e jetës që lind, e fëmijës, që pritet të dalë në dritë. Papa u kujtoi të gjithë besimtarëve se me Lutjet Mbrëmësore të së shtunës së kaluar, kushtuar pikërisht fëmijës që pritet të lindë, nisi edhe Koha e Ardhjes. Në këtë kohë, që na përgatit për solemnitetin e lindjes së Zotit, duke kujtuar posaçërisht dashurinë me të cilën Maria e pret lindjen e Foshnjës Hyjnore, Papa na porosit: “Ta presim Zotin në uratë, duke e falënderuar për dhuratën e jetës e duke iu lutur ta mbrojë çdo krijesë njerëzore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.