2010-11-29 18:55:27

Keqardhje e thellë e Papës për ndeshjet në favelat e Rio de Zhaneiros


(29.11.2010 RV)Papa ndjek me keqardhje të thellë ndeshjet e dhunshme të këtyre ditëve në Rio de Zhaneiro, ndërmjet forcave të rendit dhe narkotrafikantëve, në veçanti në favelën “Vila Kruzeiro”. Deri tani, ato kanë shkaktuar 40 viktima. Në një mesazh, që mban firmën e kardinalit-sekretar të Shtetit, Tarçizio Bertone, Benedikti XVI siguron se lutet për të vrarët dhe u kërkon përgjegjësve t’u japin fund ndeshjeve, që të rivendoset ligji në favor të së mirës së përbashkët.RealAudioMP3
Për gjendjen në vend, flet në mikrofonin tonë kryeipeshkvi i Rio de Zhaneiros, imzot Orani Zhao Tempesta:
Këto ditë, forcat e rendit kanë shtënë në dorë dy lagje të vështira të Rio de Zhaneiros, të cilat më parë ishin në dorën e trafikantëve të drogës. Duket se gjendja është e qetë. Kisha u qëndron pranë bashkësive të vendit.
Që prej 30 vjetësh, punon me fëmijët e favelave të Rio de Zhaneiros, të cilat kapin shifrën 1080, meshtari italian “Fidei Donum”, atë Renato Kiera, themelues i “Casa do Menor”. Ta dëgjojmë:
Ne jetojmë në një klimë lufte e luftën e gjejmë edhe në rrugë. Do të më pëlqente, që në Brazil, të reflektohej mbi këtë: kundër kujt bëhet lufta? Është luftë kundër të rinjve dhe adoleshentëve, që shoqëria, qeveritë, familjet i kanë braktisur, i kanë harruar prej vitesh. Në fund të fundit, këta bijtë tanë kanë zgjedhur krerët e tyre e ata janë trafikantët e drogës, vetëm pak më të rritur, sepse kanë moshë nga 25 deri në 30 vjeç. Ne duhet të mendojmë se po bëjmë luftë kundër bijve tanë – bij të Brazilit, të favelave – që i kemi braktisur krejtësisht: janë bij pa perspektivë, të padashur e në përgjithësi, me familje të shkatërruara; janë bij, që duan të arrijnë mirëqënien e të tjerëve, të cilën shoqëria i shtyn ta kërkojnë me çdo kusht.







All the contents on this site are copyrighted ©.