2010-11-29 18:58:22

Furtuna Wikileaks. OKB-ja kritikon SHBA-të: janë dhunuar Kombet e Bashkuara


(29.11.2010 RV)Mijëra dokumenta të rezervuara kanë shkaktuar një furtunë diplomatike në gjithë botën. Janë dokumenta të Uashingtonit, që faqja e internetit Wikileaks i ka publikuar dje, duke zbuluar kështu gjykimet e pathëna të diplomacisë amerikane për shumë krerë botërorë, si edhe shumë prapaskena delikate ndërkombëtare. Ndër më të ndjeshmet, përpjekja e CIA-s për të spiunuar udhëheqësit e OKB-së. I menjëhershëm, reagimi i Pallatit të Qelqit, që në një deklaratë të zëdhënësit, i kujton SHBA-ve se Kombet e Bashkuara janë të padhunueshme. Ndërsa zëdhënësi i qeverisë gjermane nënvizon se marrëdhëniet ndërmjet Uashingtonit dhe Berlinit janë të forta e të qëndrueshme e nuk do të ndryshojnë si pasojë e publikimit të dokumentave të Wikileaks. Për një koment, ia drejtuam mikrofonin pedagogut të historisë amerikane në Universitetin e Gjenovës, Fernando Fashe:
Duhet të kemi parasysh se, siç vërente gazeta “The Guardian” ose “Herald Tribune”, janë vërtet të dhëna të rezervuara, por që administrohen e njihen nga të paktën 3 milion amerikanë. Elementi i dytë i reflektimit ka të bëjë me dhënien e lajmit para publikimit. E qartë, mund të krijohen probleme, por me paralajmërimin, SHBA-të dhanë sinjalin e një politike të jashtme të hapur, fakt, që nuk mund të mungojë në një demokraci.
E ja edhe komenti i zv.drejtorit të revistës katolike “Famiglia Cristiana” (Familja e krishterë), Fulvio Skaljone:
Për Uashingtonin besoj se pasojat nuk do të jenë aq dramatike. Mund të jenë më delikate, madje edhe të rrezikshme, për vendet aleate të SHBA-ve. Mendoj, për shembull, për të gjitha vendet e vogla arabe, që i kërkojnë me këmbëngulje Uashingtonit të bombardojë Iranin dhe strukturat e tij bërthamore. Po të marrim parasysh edhe operacionin e paralajmërimit të Hilari Klintonit në ditët e kaluara, mendoj se çështja mbyllet me kaq. Nëse do të shihnim korrespondencën e ambasadave të tjera, do të gjenim të njëjtat komente aspak të këndshme edhe për Barak Obamën, prandaj është një lojë, që diplomacia ndërkombëtare e njeh fort mirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.