2010-11-29 18:51:38

Benedikti XVI ipeshkvijve filipinas: i drejtë impenjimi juaj për jetën, për drejtësinë e kundër korrupsionit


(29.11.2010 RV)Kisha Katolike në Filipine është e gjallë dhe merr pjesë aktive në jetën e vendit. E tregojnë këtë ndërhyrjet e saj në pikat kyçe të shoqërisë, si mbrojtja e jetës dhe e familjes në këndvështrimin e krishterë, lufta kundër korrupsionit dhe kundër dënimit me vdekje. Këto vuri në dukje Papa në audiencën me një grup ipeshkvijsh filipinas, në vizitë ad Limina në Vatikan.RealAudioMP3


Kisha nuk bën politikë, u tha Benedikti XVI mëse 30 prelatëve të mbledhur në Pallatin apostolik, por pa dyshim, kontribuon në ndërtimin e një rendi të drejtë shoqëror, duke predikuar të vërtetën e Ungjillit, duke ndriçuar të gjithë sektorët e veprimtarisë njerëzore me doktrinën e saj e me dëshminë e të krishterëve, duke respektuar e promovuar edhe lirinë politike e përgjegjësinë e qytetarëve. Kjo është karakteristika e punës së Kishës në Filipine, ku 95% e popullsisë prej 90 milion banorësh, është katolike. Nganjëherë, pikërisht detyra e shpalljes së Ungjillit prek edhe tema të rëndësishme për sferën politike, theksoi Papa, i cili lavdëroi përpjekjet e Kishës në Filipine:
“…që të luajë rolin e vet në mbështetje të jetës njerëzore nga zënia deri në vdekjen e natyrshme, si edhe në mbrojtje të martesës e të familjes. Në këto fusha, ajo po promovon të vërteta mbi njeriun dhe mbi shoqërinë, që rrjedhin jo vetëm nga Zbulesa hyjnore, por edhe nga ligji natyror, rend ky, që arsyeja njerëzore mund ta kuptojë e, prandaj, përbën bazë për dialogun e për procesin e marrjes së vendimeve nga të gjithë njerëzit vullnetmirë. Vërej me kënaqësi edhe punën, që bën Kisha për shfuqizimin e dënimit me vdekje në vend”.
Një sektor i veçantë, në të cilin Kisha duhet të gjejë vendin e vet, është ai i komunikimeve shoqërore dhe i mediave, nënvizoi Papa:
“Një zë i bashkuar e pozitiv i duhet paraqitur publikut përmes mediave të vjetra e të reja, në mënyrë që mesazhi i Ungjillit të ndikojë gjithnjë e më shumë mbi kombin. Është e rëndësishme, që laikati katolik, eskpert në komunikimet shoqërore, të zerë vendin që i takon, për ta propozuar mesazhin e krishterë në mënyrë sa më bindëse dhe tërheqëse”.
Papa u ndal në një aspekt jo më pak të rëndësishëm të misionit të Kishës në shoqëri: impenjimi në çështjet ekonomike dhe shoqërore, në veçanti përsa u përket të varfërve e të braktisurve. “Është inkurajuese të shohësh se si ky impenjim ka dhënë frytet e veta, përmes instituteve bamirëse katolike në të gjithë vendin”, pranoi Ati i Shenjtë:
“Shumë prej bashkëqytetarëve tuaj mbeten pa punë, ose pa arsim, apo pa shërbimet bazë, prandaj qëndrimi juaj profetik dhe veprimtaria juaj bamirëse në favor të të varfërve vazhdojnë të vlerësohen shumë. Për më tepër, jeni shqetësuar, me të drejtë, për të luftuar kundër korrupsionit, pasi zhvillimi i një ekonomie të qëndrueshme është i mundur vetëm kur zbatohen qartë dhe me koherencë ligjet e shtetit të së drejtës në të gjithë vendin”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.