2010-11-27 15:55:22

Shenjtorët e Javës sipas kalendarit Kishtar


Të dielën më 28 nëntor, Kisha fillon Vitin e Ri liturgjik e kremton të dielën e parë të kohës së Ardhjes, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik. Nis pra përgatitja shpirtërore për të pritur Ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krisht.
Po sot më 28 nëntor kalendari Kishtar përkujton edhe Shën Jakun e Markeve, meshtar françeskan. Liturgjia na kujton se Jezusi na mëson të përgatitemi për të pranuan farën e Jetës Hyjnore e të jemi me Të. Rëndësi ka të jesh me Zotin; rezultatet e frytet, të cilat nuk janë në dorën tonë njerëore, nuk i mungojnë njeriut që jeton me bindjen se shpëtimi vjen nga Zoti.
Nesër e hënë 29 nëntor, bie përkujtimi i Shën Saturninit martir, e Shën Frederikut e të Lumin Dioniz të Lindjes së Krishtit. Eja o Zot Jezus! T’i lirojmë zemrat nga gjithçka i rëndon
Të martën e ardhshme më 30 nëntor do të kremtohet festa e Shën Andreut, apostull. Sipas ungjilltarëve, është i pari i thirrur, së bashku me të vëllaun, Simon Pjetrin.
E Kujtojmë se Shën Andreu Apostull është edhe njëri ndër ungjillëzuesit e shqiptarëve, pra njëri prej atyre që solli Ungjillin në trevat shqiptare. Shenjti na mëson se bashkimi i plotë me Krishtin arrihet vetëm duke ecur në rrugën e kryqit, që përfundon me ringjalljen.
Të mërkurën që vjen më 1 dhjetor do të përkujtohet festa e Shën Eligjit, ipeshkëv i Lionit dhe Shën Naumit, profet, që na kujtojnë se Jezusi vjen për çdo njeri, për çdo popull: të përgatitemi, prandaj, për ta takuar me gëzim. do të përkujtohen Shën Eligji, ipeshkëv e martir; Shën Nahumi profet; Shën Krizogoni, martir.
Të enjten më 2 dhjetor, në atmosferën e thirrjes së Psalmistit: ‘Eja, o Zot, mbret i drejtësisë e i paqes”, do të përkujtohen Shën Bibiana, matronë romake; Shën Pimeni, martir e Shën Silvestri, papë.
Të premtën që më 3 dhjetor është festa e Shën Françesk Saverit, meshtar jezuit, apostull i Indisë, pajtor i misioneve. Na kujton se kumtimi ynë i krishterë bëhet i besueshëm, kur e dëshmojmë Krishtin me çdo çast të jetës sonë. Dëshmi, jo fjalë, kërkon nga ne Zoti që vjen!
Të shtunën që vjen më 4 dhjetor, Shën Gjon Damasheni, meshtar e dijetar i Kishës e Shën Barbara, martire, na ftojnë që jo vetëm t’i dëgjojmë fjalët e Jezusit, por edhe e sidomos t’i vemë në jetë.
Të dielën e ardhshme më 5 dhjetor Kisha kremton të dielën e 2-të kohës së Ardhjes e po më 5 dhjetor bie përkujtimi i Shën Sabës abat, që na fton të jetojmë me bindjen se kushti kryesor për ta përhapur praninë e Zotit në botë, është të besosh me gjithë zemër në Të.







All the contents on this site are copyrighted ©.