2010-11-27 17:57:29

Mbrëmësoret e para të kohës së Ardhjes me Papën në Vatikan


Papa Benedikti XVI kryeson në orën 18.00, në Bazilikën e Vatikanit, kremtimin e Mbrëmësoreve të para të së Dielës së parë të Ardhjes. Këtë vit, liturgjia ndalet te “Mbrëmja e lutjes për jetën që lind”, gjatë së cilës, jo vetëm në Vatikan, por edhe në bashkësitë katolike të vendeve të tjera të botës, besimtarët lutën për fëmijët e palindur akoma.
Duke iu referuar kësaj Mbrëmjeje, Ati i Shenjtë Racinger tha: “Koha e përgatitjes për Krishtlindjen është çasti i duhur për të kërkuar mbrojtjen hyjnore mbi çdo njeri që vjen në jetë, edhe si falenderim drejtuar Zotit për dhuratën e jetës marrë nga prindërit”.
Duke hedhur një vështrim nëpër botë, edhe kardinali-kryeipeshkëv i Parisit, André Vëngt-Trua kryesoi Mbrëmësoret po në Bazilikën e Zemrës së Krishtit në Monmartrë, pas së cilës, sidomos të rinjtë morën pjesë në një procesion me qirinj dhe në adhurimin e Eukaristisë, gjatë gjithë natës.
E njëjta gjë, në Kryedioqezën e Toledos në Spanjë e në Monastero dos Jerònimos në Portugali, ku lutja u kryesua nga kardinali-patrik i Lisbonës. Mbrëmja parapriu shugurimin e diakojve të kryedioqezës, që u bë sot, pjesë e përgatitjes së katolikëve portugezë për Ditën Botërore të Rinisë 2011 në Madrid dhe për Takimin VI Botëror të Familjeve 2012 në Milano.
Të shumta ishin iniciativat edhe në Irlandë: në Galuej, ipeshkvi dioqezan Martin Drenan kryesoi Mbrëmjen e lutjes për jetën në katedralen e Zojës së Madhe e të shën Nikollës, ku u tha edhe Rruzarja.
Nga ana e saj, Konferenca Ipeshkvnore e SHBA-ve u shpërndau të gjitha dioqezave një skemë, sipas së cilës u zhvillua lutja. Fillimisht liturgjia e Mbrëmësores, pastaj procesioni marian e meditimi i Rruzares Shenjte.







All the contents on this site are copyrighted ©.