2010-11-27 15:55:38

Koha kishtare të Ardhjesë dëshmon se Zoti e ka përqafuar natyrën tonë njerëzore


Me këtë diele të parë të kohës kishtare të Ardhjes, ne fillojmë përgatitjen tonë shpirtërore për kremtimin e Krishtlindjes, dillojmë parapërgatitjen shpirtërore për ta pritur Zotin që i përshkon udhët tona njerëzore dhe vjen vazhdimisht e pambarimisht në historinë tonë duke kërkuar një zemër të gatshme për të banuar e për t’u mishëruar. Krishtlindja dmth. pikërisht Mishërim i Zotit Jezu Krisht në natyrën tonë njerëzore e në jetën tonë personale.
Krishtlindja, është dëshmimi i faktit se Zoti e ka përqafuar natyrën tonë njerëzore, se Zoti me dashuri i ka marrë mbi vete të gjitha të metat tona njerëzore, të gjitha kufizimet, vështirësitë, gabimet tona, të këqijat pikërisht për të na liruar nga ky robërim vdekjeprurës shpirtëror e njerëzor. Këtë Ai e ka realizuar përmes Dashurisë së Tij të pakufishme Hyjnore, të cilën e mishëroi dhe e dëshmoi në Jezu Krishtin nga Shpella e Betlehemit e deri me vdekjen mbi Kryq dhe Ngjalljen e Tij, dmth. me ngadhënjimin e Tij përfundimtar mbi të këqijat, mbi vdekjen dhe djallin e mallkuar.
Sivjet ky fillim i Vitit të Ri kishtar përkon fatbardhësisht edhe një festë tjetër, të natyrës kombëtare që na përkujton shënimin e arritjet së çlirimit të kombit shqiptar nga robërimi i gjatë dhe i errët i zgjedhës së rëndë të perandorisë otomane turke.
Pra, të gjithë dëgjuesve shqiptarë të Radio Vatikanit e të gjithë shqiptarëve pa dallim e kudo që ndodhën, urimet më të përzemërta për festën e madhe të Flamurit të kombit shqiptar nga ekipi i Programit Shqip i Radio Vatikanit.
Duke përkujtuar dhe kremtuar Ditën e 28 Nëntorit, shqiptarët shprehin mirënjohjen ndaj të gjithë atyre burrave, trimave, intelektualëve, diplomatëve, klerikëve e të sa e sa shqiptarëve që në mënyrë të heshtur ia kanë përkushtuar jetën dhe gjithçka kanë pasur vlerës së Dritës së Lirisë së Kombit e të Vendit.
E iu kthyer Vitit të Ri liturgjik që fillojmë sot, po kujtojmë se gjatë katër të dielave të kohës së Ardhjes, që paraprijnë e përgatisin festën e Krishtlindjes, kemi disa personazhe apo figura madhore biblike që na ndihmojnë dhe na prijnë në udhën tonë shpirtërore drejt Shpellës së Betlehemit: e këto janë Zoja e Bekuar Virgjëra Mari, Izaia profet dhe Gjon Pagëzuesi.
Liturgjia e kësaj së diele të parë të Ardhjes na thërret ta presim Krishtin të zgjuar, të gatshëm e të aftë për ti njohur e kuptuar shenjat e pranisë së tij hyjnore mes nesh. Duhet të jemi të përgatitur, të gatshëm sepse Zoti vjen atëherë kur nuk e mendojmë dhe nuk e presim, pra, vjen papritmas, kështu është mirë për ne, që kur të vijë në jetën tonë, të na gjejë zgjuar e të përgatitur për ta pranuar në zemrat tona. Koha e Ardhjes është përgatitje për Krishtlindje por është edhe kohë e volitshme për t’iu përkushtuar më shumë dëgjimit të Fjalës së Zotit dhe bashkimit tonë përreth saj, sepse është dritë për hapat tanë në udhën e jetës së përditshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.