2010-11-27 15:55:54

Atë Lombardi: “Drita e botës” është akt guximi i vërtetë komunikativ nga ana e Benediktit XVI


Libri-intervistë i Papës Benedikti XVI me gazetarin gjerman Peter Sevald sapo ka dalë në librari, por shitet aq shpejt, saqë duhen shtypur kopje të tjera. 50 mijë copë janë shitur tashmë e deri më 2 dhjetor do të botohen po aq. Vëllimi i tretë i trilogjisë së Peter Sevald për Jozef Racinger, me titull “Drita e botës. Papa, Kisha dhe shenjat e kohëve” u paraqit dje në Vatikan, në praninë e zëdhënësit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, të kryetarit të Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, imzot Rino Fizikela dhe të vatikanistit italian, Luigji Akatoli, përveç autorit dhe drejtorit të Shtëpisë Botuese të Vatikanit, don Xhuzepe Kosta.
Një libër unik, një dhuratë për Kishën e për botën, që gati e sfidon njeriun e sotëm, duke i kërkuar kthimin e zemrës. Atë Lombardi u tha gazetarëve, që e kishin mbushur si kurrë ndonjëherë Sallën e Shtypit, se parmbrëmë e pyeti personalisht Papën për arsyet e këtij libri, në formën e intervistës. Ta dëgjojmë:
“Pse Papa bëri këtë intervistë? Sepse mendoi se t’u flasë njerëzve të sotëm, me një gjuhë të thjeshtë, bashkëbisedimi, mbi shumë nga problemet e tyre, do të ishte një shërbim i mirë, që mund t’u bënte. Lind nga qëllime baritore, nga dëshira për të komunikuar thjesht, nga gatishmëria për t’iu përgjigjur pyetjeve të botës, të njerëzve të sotëm”.
Nga ana e tij, imzot Rino Fizikela vuri në dukje humanizmin e Benediktit XVI, me të cilin ai e bën të dukshme për të gjithë, faqe pas faqesh, jetën e tij të përditshme:
“Jemi para një Pape që nuk i shmanget asnjë pyetjeje, që dëshiron të sqarojë gjithçka me një gjuhë të thjeshtë, por jo më pak të thellë dhe, se pranon me përzemërsi provokimet, që përmbajnë pyetjet. Gjithsesi, reduktimi i krejt intervistës në një frazë, të shkëputur nga konteksti e nga tërësia e mendimit të Benediktit XVI, është fyerje për inteligjencën e Papës dhe instrumentalizim i qëllimshëm i fjalëve të tij”.
Imzot Fizikela iu referua bujës së shkaktuar në media për fjalët e Papës mbi përdorimin e prezervativit, sidomos në rastin e të sëmurëve me Sidë. Edhe pyetjet e gazetarëve të pranishëm u përqëndruan mjaft në këtë temë:
“Para së gjithash – sqaroi imzot Fizikela – kur flet në këtë libër, Papa u përgjigjet pyetjeve mbi udhëtimin e tij në Afrikë e shpjegon se si ky udhëtim u errësua krejtësisht nga një çështje e vetme: përdorimi i prezervativit. Që këtej, Papa arsyeton mbi temën e seksualitetit dhe të trupit njerëzor, prandaj, mendimi i Papës nuk mund të shkëputet nga ky kontekst”.
Edhe drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi deklaroi se objektivi i vërtetë i Papës, kur flet për përdorimin e prezervativëve, nuk është t’i propozojë ato si mjet të moralshëm marrëdhëniesh ndërmjet njerëzve, por ta humanizojë seksualitetin:
“Kontributi, që dëshiron të japë Papa, nuk është ndonjë diskutim teknik, apo shkencor mbi problemet e moralit. Nuk është kjo detyra e këtij libri. Papa nuk dëshiron të bëjë punën e Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Për këtë arsye nuk ka përdorur terma si “e keqja më e vogël”, “efekt i dyfishtë” ose formula të tjera klasike të veçanta, por ka përdorur një gjuhë shumë të thjeshtë, në mënyrë që të gjithë ta kuptonin. Thotë se përdorimi i prezervativit nga një prostitutë është hapi i parë drejt përgjegjësimit të saj, hapi i parë i një rruge, që mund ta çojë më larg”.
Familiariteti, konfidenca, ironia, diku edhe sarkazma, por sidomos, thjeshtësia dhe e vërteta – tha imzot Fizikela – janë tiparet dalluese të kësaj bisede, me të cilën Jozef Racinger e fton publikun e gjerë ta kuptojë mendimin e tij:
“Përshtypja, që krijohet, është ajo e një Pape optimist për jetën e Kishës, pavarësisht nga vështirësitë, që e shoqërojnë gjithnjë”.
Benedikti XVI, vazhdoi kreu i dikasterit për Ungjillëzimin e Ri, nuk frikësohet nga shifrat e sondazheve, sepse e vërteta ka kritere të tjera. Libri na ndihmon të mos biem në interpretime të lehta e sipërfaqësore:
“Pra, këto faqe lënë të duket qartë mendimi i Papës e disa duhet të bëjnë autokritikë për përshkrimet që i kanë bërë në të kaluarën, si njeri obskurantist e armik i së resë”.
Në përfundim të konferencës së shtypit, atë Federiko Lombardi nënvizoi se libri-intervistë i Papës tregon një guxim të madh komunikativ të Benediktit XVI:
“Ne duhet t’i jemi mirënjohës Papës për këtë akt guximi të vërtetë komunikativ. Është përpjekur të flasë me një gjuhë të kuptueshme nga të gjithë njerëzit, u është përgjigjur shumë pyetjeve, i vetëdijshëm për rrezikun e debateve, që mund të shkaktonin përgjigjet, të cilat mund të mos kuptoheshin deri në fund. Pse? Sepse ndjen përgjegjësinë e tij dhe të Kishës në të gjitha problemet e botës së sotme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.