2010-11-27 16:02:04

Atë Federiko Lombardi: “Në bisedë me Papën”


Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi i kushton bisedës me Papën argumentin e edhe komentin javor të së dielës.
“Papa i parë nga afër, i njohur më mirë jo vetëm si Papë, por edhe si njeri, tërheq simpatinë e shumë vetëve, të cilët vlerësojnë ëmbëlsinë dhe ndjeshmërinë e tij, aspektin e përvujtë e njerëzor dhe kujdesin për ata që takon, të vegjël e të mëdhenj. Entuziazmi i njerëzve të thjeshtë gjatë udhëtimeve të shumta jashtë Vatikanit – si ai në Maltë, në Portugali, në Mbretërinë e Bashkuar, apo në Spanjë – shpjegohet kryesisht me njohjen nga afër të Jozef Racinger, Benediktit XVI.
Tani kemi një rast të ri për ta kuptuar më mirë se kë kemi për Papë. Është biseda e tij e gjatë me gazetarin gjerman Peter Sevald, botuar ditët e kaluara në shumë gjuhë. Lajmet, që shoqëruan botimin, u përqëndruan shpesh mbi pak faqe e pak argumenta, ndërsa në gjashtë orët e gjata të bisedës, nga të cilat lindi libri, Papa prek argumente të shumta, që mund t’u interesojnë njerëzve të sotëm; dhe e bën këtë me një gjuhë e me një stil të thjeshtë e spontan, me një sinqeritet, që të lë pa mend nganjëherë.
Një shërbim i ri i tij origjinal pra, për të gjithë ne, për t’iu përgjigjur pyetjeve të shumta, që edhe ne kemi dëshirë t’i bëjmë, nga ato më të thellat e më të rëndësishmet mbi kuptimin e jetës, tek ato mbi problemet, që mundojnë Kishën, mbi krizat dramatike të botës së sotme, e edhe pyetje më personale, mbi të e ndjenjat e tij.
Një Papë, që nuk na flet vetëm nga katedra e magjisterit të tij solemn, ose vetëm gjatë kremtimeve të mëdha liturgjike, por na bën të kuptojmë se ecën me ne, vëlla e mik me këmbë në tokën, që shkelim edhe ne, e kështu, na ndihmon të shohim më mirë përpara, me fe të thjeshtë e të fortë dhe me shpresë të gjallë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.