(26.11.2010 RV)Sot kisha katolike përkujtoi Shën Siricionin, papë; shën Silvestrin,
abat; themelues i rregulltarëve silvestrinë dhe Shën Leonardin e Porto Maurizios,
rregulltar i urdhërit të fretërve të vegjël. Po ndalemi tek figura e Shën Leonardit
nga Porto Mauricio. I dërguar nga Papa në Korsikë për të rivendosur harmoninë ndërmjet
qytetarëve, mbajti një predikim me temën e Mundimeve të Krishtit në sheshin publik
të qytetit. Ishte aq e fuqishme fjala e tij e frymëzuar, sa njerëzit e mbledhur në
shesh, të ndarë nga inate të vjetra, shkrehën armët në ajër dhe u përqafuan me njëri
tjetrin në një gjest paqeje që as mund të mendohej pak orë më parë. Kaq i fuqishëm
ishte predikimi i Shenjtit, kaq bindës, kaq pajtues - gjithnjë në emër të Krishtit.
Shën Leonardi njihet sa për predikimet e tij, aq edhe për krijimin e Udhës së
Kryqit, lutje që përshkon rrugën e Krishtit deri në Kalvar, deri në kryqëzim. Po ky
shenjt shpëtoi amfiteatrin romak Koloseum nga shkatërrimi i plotë dhe kremtoi aty
për herë të parë, Udhën e Kryqit në kujtim të martirëve të bashkësive të para të krishtera.
Kështu gjatë këtij kremtimi në Koloseum jehoi përsëri zëri i martirëve të të gjitha
kohëve, sepse kujtimi i mundimeve të Zotit tonë, natyrisht të sjell menjëherë në mend
edhe vuajtjet e njerëzve që besuan në të deri në flijimin e jetës, në rrjedhë shekujsh.
E ky zë vijon të jehojë edhe sot në Koloseum vit për vit të Premten e Madhe, kur Kisha
përkujton Mundimet e Zotit tonë, sepse është akoma sot vetë Zoti, ai që vuan në korpin
e tij mistik. Shenjti, lindur më 1676, në Ligurie të Italisë, në Porto Maurizio
(që sot, i bashkuar me Onelien formon qytetin e Imperies) në familjen e një kapiteni
të flotës detare, mbeti jetim në moshë të njomë. Leonardi kreu studimet në Romë pranë
Kolegjit romak, për të hyrë pastaj në Kuvendin romak të Shën Bonaventurës, në Palatin,
ku veshi zhgunin françeskan e ku edhe vdiq më 26 nëntor 1751.