(26.11.2010 RV)Papa pranoi ftesën për të bërë një vizitë në Republikën e Beninit,
nga 18 deri më 20 nëntor të vitit të ardhshëm. Lajmi u dha sot në qytetin beninez
të Kotonusë, gjatë një konference të përbashkët shtypi të autoriteteve vendase dhe
Konferencës ipeshkvnore të Beninit. Vizita, me ftesën e presidentit Boni Yayi, të
qeverisë së tij e të Konferencës ipeshkvnore të Beninit, inkuadrohet në kremtimet
jubilare me rastin e 150-vjetorit të ungjillëzimit të vendit dhe të përkujtimit të
kardinalit të ndjerë Bernardin Gantin, me të cilin Papa punoi vite radhazi në shërbim
të Selisë Apostolike. Gjatë vizitës, Benedikti XVI do t’u dorëzojë përfaqësuesve
të Konferencave ipeshkvnore të mbarë Kontinentit afrikan ‘Këshillimin Apostolik’,
fryt i Sinodit të posaçëm për Afrikën, mbajtur në Vatikan gjatë tetorit 2009. Që të
përgatitet sa më mirë kjo vizitë - përfundon komunikata - qeveria benineze dhe Kisha
katolike në Benin, do të bashkëpunojnë për hartimin e programit përfundimtar të qëndrimit
të mysafirit të ndritur në këto troje. Gjatë vitit të ardhshëm parashikohen edhe
tre shtegtime të tjera ndërkombëtare të Atit të Shenjtë: në qershor, Papa do të jetë
në Kroaci; në gusht, në Spanjë, për Ditën Botërore të Rinisë e, së fundi, në Gjermani:
Berlin, Friburg dhe Erfurt, ndoshta gjatë shtatorit 2011.