Kardinali Sandri në Meshën për viktimat e sulmit në Katedralen e Bagdadit: s’ka mizori
në botë, që mund ta shkatërrojë një fe, e cila vë në themel misterin e Kryqit të Krishtit.
(26.11.2010 RV)Të krishterëve u duhen krijuar kushtet për të jetuar atje, ku
janë lindur. Kështu u shpreh kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për
Kishat Lindore, në Meshën e dritës, kryesuar në bazilikën e Shën Pjetrit, për viktimat
e sulmit terrorist të 31 tetorit në Katedralen e Bagdadit, ku humbën jetën 58 persona,
ndërsa 80 të tjerë mbetën të plagosur. Liturgjia, e kremtuar me nismën e Prokurës
së Kishës siro-katolike të Romës, bashkëkremtuar me Fort Lumturinë e Tij, Jusefi III
Junan, patrik i sirëve të Antiokisë, pati për qëllim t’i shprehë afërsinë shpirtërore
bashkësisë katolike irakiane, që vijon të punojë për paqen e pajtimin në mbarë vendin.
Ishte një kremtim
tejet prekës, ku ndjehej fort trishtimi për jetët e humbura, por edhe gëzimi, që i
ka rrënjët në sigurinë e jetës përtej vdekjes. Bazilika u pushtua nga atmosfera e
lutjes për shpirtin e të rënëve, atmosferë që u bë edhe më emocionuese gjatë homelisë,
përmes së cilës kardinali Sandri hyri në misterin shëlbues të martirizimit, duke gërshetuar
dëshminë e Shën Katerinës së Aleksandrisë e të Papës Leoni i Madh, që dhanë, në mënyra
të ndryshme, por për të njëjtin ideal, jetën e tyre, me situatën e vështirë aktuale
të shumë të krishterëve në botë: “Mendja, zemra e lutja – theksoi
kardinali Sandri - shkojnë në Irak e në shumë vise të tjera të botës, ku
besnikëria ndaj pagëzimit, edhe në ditët tona, paguhet me gjakun e bijve të Zotit,
që na deshi deri në kryq”. E çmuar është para syve të Zotit vdekja e besimtarëve
të tij - kujtoi kardinali - e s’ka mizori në botë, që mund ta shkatërrojë një fe,
e cila vë në themel misterin e Kryqit të Krishtit: “Persekutimet nuk mund
t’ia ndërpresin lulëzimin Kishës, përkundrazi, ajo vijon të zhvillohet; e ara e Zotit,
vijon të pasurohet me korrje gjithnjë më të begata, kur kokrrat e grurit, të rëna
një pas një, rilindin, mbijnë, rriten e mbushin plot kallëzat e reja”. Kardinali
Sandri kujtoi edhe fjalët e Atit të Shenjtë pas lutjes mariane të 1 nëntorit të
kaluar: “Lutem për viktimat e kësaj dhune, sa pa kuptim, aq të egër,
që goditi njerëzit e pambrojtur, të mbledhur në shtëpinë e Zotit, shtëpi dashurie
e pajtimi. I shpreh afërsinë time të përzemërt bashkësisë së krishterë, të goditur
përsëri, dhe u jap zemër barinjve e besimtarëve të jenë të fortë e të patundur në
shpresë”. Kështu u shpreh Papa, duke kujtuar atentatin e rëndë, që kishte
ndodhur një ditë më parë në katedralen siro-katolike të Bagdadit. Më pas, thirrja
për t’i dhënë fund dhunës: “Përballë episodeve mizore të dhunës, që vijojnë
të trondisin popullsinë e Lindjes së Mesme, përsëris thirrjen time të ngutshme për
paqe; ajo është dhuratë e Zotit, por edhe rezultat i përpjekjeve të njerëzve vullnetmirë
e të institucioneve kombëtare e ndërkombëtare. Të gjithë duhet të bashkojnë forcat,
që t’i jepet fund çdo dhune”. Hirësia e tij e vijoi homelinë, duke kujtuar
figurën e etërve Thaer e Wassim, dy meshtarë që vdiqën në sulmin e Bagdadit, të cilët
u bashkuan me Shëlbuesin e botës me gjakun e tyre, duke vënë në jetë porosinë që
morën, kur u shuguruan: “Imito atë që kremton!”. Por ata, vijoi të kujtojë kardinali: “Me
korp e me gjak kumtuan vdekjen e Krishtit e shpallën ringjalljen, në pritje të ardhjes
së Tij. U vërtetua premtimi i Jezusit: “Kush e dhuron jetën, ringjallet në Zotin”. Kardinali
Sandri u shprehu mirënjohjen të gjithë atyre, që morën pjesë në liturgji. Ambasadorëve
të shumtë të konfesioneve të ndryshme fetare, u kërkoi veprimtari konkrete pranë qeverive
përkatëse, për të fovorizuar kudo bashkëjetesën paqësore të individëve e të bashkësive
e për t’i rikthyer Lindjes së Afërme, fytyrën e saj shumëfetare e shumëkulturore. Kjo
kërkesë, sepse situata në Irak mbetet dramatike!