2010-11-26 18:16:46

Benedikti XVI i fton testatat katolike të jenë gazeta të njerëzve, që mbrojnë të vërtetat e krishtera.


(26.11.2010 RV)“Në një epokë, që e shikon me mosbesim të vërtetën, testatat me frymëzim katolik duhet të dinë të paraqesin arsyet e fesë, të cilat, si të tilla, shkojnë përtej çdo vizioni ideologjik dhe kanë të drejtën e plotë të qytetarisë në debatin publik”. Këtë theksoi sot paradite Benedikti XVI, duke pritur në audiencë një delegacion të Federatës italiane të gazetave e revistave katolike. Të jeni, i porositi Papa, gazetat e njerëzve, të afta për të informuar, por edhe për të formuar me vlerat e Ungjillit.RealAudioMP3

“Tharm për të fermentuar gjithçka të mirë ka shoqëria”; “palestra”, ku mund të debatohet ndershmërisht; përçuese të vlerave e të fesë, që Kisha çon çdo ditë në realitetet njerëzore”. Ky është, sipas Benediktit XVI, identikiti, që duhet të ketë çdo testatë katolike, e çfarëdo lloj niveli. Përballë 300 personave, të pranishëm në Sallën Klementine, si përfaqësues të 188 testatave të shkruara në Federatën italiane të të përjavshmeve katolike, Papa, në radhë të parë, nënvizoi me forcë funksionin krejt të veçantë, që kanë gazetat me frymëzim katolik:
“Të kumtojnë Lajmin e Mirë përmes rrëfimit të fakteve konkrete, që jetojnë bashkësitë e krishtera dhe të situatave reale, në të cilat gjenden. Ashtu si një sasi e vogël tharmi, e përzjerë me miell, e thar gjithë brumin – vijoi Ati i Shenjtë – kështu edhe Kisha, e pranishme në shoqëri, punon për të rritur e për të pjekur gjithçka që është e vërtetë, e mirë, e bukur; e ju e keni për detyrë të jepni llogari për këtë prani, e cila promovon e forcon ç’ është thellësisht njerëzore, duke i çuar njeriut të sotëm mesazhin e së vërtetës e të shpresës në Zotin tonë Jezu Krishtin”.
Në Federatë bëjnë pjesë gazeta të mëdha, si “Avvenire” e “Agjensia Sir”, që të dyja, organe të informacionit të ipeshkvijve italianë, të cilat Benedikti XVI i falënderoi në mënyrë të posaçme. Por anëtare të kësaj Federate janë edhe gazetat e revistat dioqezane si dhe media të tjera të cilat, me punën e tyre, siç e theksoi edhe Ati i Shenjtë, kryejnë një detyrë tejet të çmuar, duke bërë të njohur veprimtaritë dhe mësimet e Kishës. Një punë, vërejti Papa, që në rrethanat e sotme post-moderne, është shndërruar në sfidë. Sfida e mënyrës për ta kuptuar të vërtetën:
“Kultura sunduese, më e përhapura në areopagun mediatik, mban, përballë së vërtetës, një qëndrim skeptik e relativist, duke bërë vlerësime sipas kritereve të opinioneve të thjeshta e, për pasojë, duke i shikuar si të mundshme e legjitime, shumë ‘të vërteta’ njëkohësisht".
Përkrah Kishës, e cila i kumton njeriut se ekziston një e vërtetë më e madhe, testatat katolike - pohoi Papa- janë të thirrura t’i shërbejnë me guxim kësaj së vërtete, për ta ndihmuar opinionin publik ta shikojë e ta lexojë realitetin në këndvështrim ungjillor:
“Është fjala për të paraqitur arsyet e fesë të cilat, si të tilla, shkojnë përtej çdo vizioni ideologjik dhe kanë të drejtën e plotë të qytetarisë në debatin publik. Nga kjo kërkesë lind impenjimi juaj i përhershëm për ta bërë të ndjehet fort e të pasqyrohet mendimi katolik në të gjitha sferat etike e shoqërore”.
Si u kujtoi, më pas, se nuk mund të jenë gazetarë katolikë, pa një lidhje të përhershme e të thellë me Krishtin, Benedikti XVI e përfundoi audiencën, duke i nxitur gazetarët e Federatës të japin informacione të përpikta për ngjarjet e bashkësive të tyre, për jetën e përditshme, për nismat e dashurisë së krishterë e të bamirësisë, që karakterizojnë jetën e bashkësive:
“Vijoni të jeni gazeta të njerëzve, që kërkojnë dialog të vërtetë ndërmjet shtresave të shoqërisë; palestra ballafaqimi e debati të ndershëm ndërmjet opinioneve të ndryshme. Përmes një pune të tillë, gazetat katolike, ndërsa kryejnë detyrën e tyre të rëndësishme për të informuar, kanë njëkohësisht edhe funksionin e pazëvendësueshëm formues, duke promovuar aftësinë për ta vlerësuar me urti ungjillore realitetin e ndërlikuar e duke edukuar ndërgjegje kritike e kristiane”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.