2010-11-25 15:56:15

Çelësi i fjalëve të Kishës: gruaja


(25.11.2010 RV)Të dashur dëgjues, kremtohet sot Dita Botërore për zhdukjen e dhunës kundër grave. Kjo ushtrohet kryesisht në familje, por edhe në rrugë e në vende të tjera, siç denoncon mesazhi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun. Por si trajtohet “gruaja” në Shkrimin e Shenjtë? Pikërisht për këtë do të flasim në emisionin e sotëm.

Në vështrim të parë, duke shfletuar faqet e Biblës, mbetemi pa mend para disa frazave të të diturve të Izraelit: “Më e mirë e keqja e burrit, se mirësia e gruas” (Sir 42,14), ose “Gjej se më e hidhur se vdekja është gruaja: është lak gjuetarësh, zemra e saj është rrjetë e duart e saj zinxhirë. Kush i pëlqen Hyjit i ikën asaj, kurse mëkatari zihet prej saj” (Ksh 7,26). Këto fjalë tregojnë qartë se ç’risi solli në historinë e njerëzimit, në luftën kundër paragjykimeve dhe dhunës, mishërimi i Fjalës së Zotit, ardhja e Jezu Krishtit.
Në Lindjen e Afërt (po jo vetëm atje), në kohë të lashta, gruaja konsiderohej inferiore nga shoqëria, nuk kishte personalitet juridik, i nënshtrohej krejtësisht burrit, e kishte rëndësi vetëm për riprodhimin e familjes. Domethënës për këtë është fakti se në Urdhërimet e Tënzot, gruaja vendoset në mesin e pronave të familjes. Thuhet në Librin e Daljes: “Mos i lakmo shtëpisë së të afërmit tënd. Mos i lakmo gruas së tij, shërbëtorit, shërbëtores; as kaut, as gomarit, asnjë gjëje që i përket atij” (Dal 20,17).
E megjithatë, Zoti, i cili shpesh përfshin në planin e Tij të shëlbimit njerëz të përvujtë, ose të paaftë, me role të dorës së dytë, si Moisiu, apo Jeremia, i ka dhënë jo rrallë gruas detyrën për ta udhëhequr e për ta çliruar krejt Izraelin: kush nuk e kujton Deborën, “nënën e atdheut”, ose Juditën dhe Esterin e veprat e tyre? Në Këngën e Këngëve është gruaja ajo, që e udhëheq burrin në zbulimin e dashurisë së vërtetë. Po ashtu, në Librin e Fjalëve të Urta (31,10-31) nuk mungon një portret i shkëlqyer i gruas së aftë të mbajë krejt familjen.
Besëlidhja e Re vazhdon në këtë linjë, duke e përshpejtuar edhe më shumë. Në ndryshim nga zakoni i rabinëve, Jezusi rrethohet me gra, nuk ka frikë të flasë me prostitutat, ose me të huajat, nuk heziton t’i shërojë, edhe kur kanë probleme femërore, që sipas Ligjit izraelit, do t’i bënin “të papastërt” ata, që hynin në kontakt me to. Kulmi i kësaj mënyre sjelljeje arrin në agimin e Pashkëve, kur dëshmitaret e para të ringjalljes së Krishtit janë pikërisht gratë, dishepulle të Zotit. Zhvlerësohet kështu norma, sipas së cilës, gratë nuk ishin dëshmitare të besueshme.
Gratë luajnë rol të rëndësishëm në kohët e para të krishterimit. Vejushave u jepet një status i veçantë, të tjerat bashkëpunojnë në veprën e ungjillëzimit. Edhe vetë Shën Pali, që në disa raste duket se e bën të vetin mentalitetin judaik mbi gruan (p.sh. 1 Kor 11,1-16), pranon se “nuk ka më mashkull-femër! Të gjithë ju jeni NJË në Krishtin Jezus!” (Gal 3,28). Por në Ungjijtë e sidomos, në traditën e mëpasme të krishterë, një figurë femërore mbizotëron mbi të tjerat.
Është Maria, nëna e Zotit! Prania e saj, vërtet është e përvujtë, por në fund bëhet emblemë e krejt Kishës, që e ka djepin pikërisht në këmbët e kryqit. “Jezusi, kur pa nënën e vet dhe, pranë saj, nxënësin që donte, i tha nënës: “Grua, qe yt bir!” Mandej, i tha nxënësit: “Qe, nëna jote!” (Gjn 19,26-27). Nga Eva, nëna e të gjallëve, arrihet kështu tek Zoja, nëna e të shëlbuarve.







All the contents on this site are copyrighted ©.