2010-11-25 16:06:07

Ipeshkvijtë filipinas në vizitë ad Limina. Kisha e impenjuar në mbrojtjen e jetës e në luftën kundër varfërisë


Ipeshkvijtë filipinas kanë filluar këto ditë vizitën e tyre ad Limina në Vatikan, që do të përfundojë në shkurtin e vitit të ardhshëm. Me 74 milion besimtarë, Filipinet janë vendi aziatik me më shumë katolikë. Territori ndahet në 16 kryedioqeza e 57 dioqeza e ipeshkvijtë janë një zë me autoritet, i respektuar në shoqëri, sidomos në çastet e vështira të historisë së vendit. Në mikrofonin tonë, kreu i Konferencës Ipeshkvnore Filipinase, imzot Nereo Odchimar ndalet në sfidat aktuale për Kishën lokaleRealAudioMP3 :
Sfidat e Kishës filipinase sot, janë të ndryshme, sipas situatës. Në këtë moment, sfida kryesore është projektligji për shëndetin riprodhues, paraqitur në Kongres nga disa politikanë. Ka të bëjë me kontrollin artificial të lindjeve. Ky është argumenti në qendër të vëmendjes, pavarësisht se ka edhe probleme të tjera me të cilat po merret Kisha filipinase, si korrupsioni, drejtësia shoqërore dhe reforma agrare.
Filipinet janë vend me traditë të madhe katolike e ipeshkvijtë kanë qenë gjithnjë të pranishëm në arenën publike. A dëgjohet akoma zëri i tyre nga politikanët e nga shoqëria në tërësi?
Një pjesë na dëgjon, por ka edhe njerëz, të cilët, sidomos përmes mediave, mbështesin kontrollin artificial të lindjeve. Ne po impenjohemi me qeverinë e me mediat, që ta bëjmë të njohur qëndrimin e Kishës Katolike. Kemi kërkuar ndihmën e laikëve, të cilët kanë kompentenca në fusha si demografia, ekonomia, mjekësia, sidomos kur flitet për ilaçe abortive. Ka lobe të forta ekonomike, që ushtrojnë presion mbi Kongresin për miratimin e ligjit mbi shëndetin riprodhues. Ideja e tyre është t’i bindin njerëzit se në Filipine ka varfëri, për shkak të mbipopullimit. Në të vërtetë, shkak për vrafërinë janë edhe korrupsioni, apo shpërndarja e pabarabartë e pasurisë. Vendi ynë është bujqësor, por nuk i është dhënë rëndësi bujqësisë. Si pasojë, shumë bujq janë shpërngulur drejt qyteteve si Manila, duke krijuar periferi të degraduara. Imazhi dramatik i këtyre periferive është përdorur për t’i bindur njerëzit se kemi më shumë lindje nga ç’duhet. Në të vërtetë, varfëria mund të luftohet me një kujdes më të madh për fshatarët e zonave rurale.
Dihet se Kisha e Filipineve impenjohet aktivisht për paqen në provincën e Mindanaos. Cilat janë marrëdhëniet tuaja me myslimanët?
Në tërësi kemi marrëdhënie të mira me myslimanët. Që nga viti 1996, në Mindanao vepron Konferenca e ipeshkvijve dhe e ulemave. Takohemi rregullisht për të promovuar vlerat e paqes. Kemi programe të përbashkëta, ku impenjohen intelektualë të krishterë e myslimanë e ku përpiqemi të përfshijmë të gjithë njerëzit. Konferenca ipeshkvnore ka gjithashtu një Komision për dialogun ndërfetar, i cili organizon takime me personalitete të feve të tjera për të nxitur mirëkuptimin e ndërsjelltë e sidomos paqen në vend.
Cilat janë frytet konkrete të Vitit Meshtarak në Filipine?
Këtë vit, kemi organizuar ushtrime shpirtërore në nivel kombëtar për klerin filipinas e kjo ka ndihmuar në shenjtërimin e meshtarëve. Në disa dioqeza, thirrjet po shtohen. Jo më pak të rëndësishme, edhe ushtrimet shpirtërore në nivel dioqezan, që kanë shërbyer për sensibilizimin e meshtarëve mbi rolin, që duhet të luajnë, në shenjtërimin e jetës së besimtarëve laikë e të rregulltarëve, në bashkësitë kishtare bazë.







All the contents on this site are copyrighted ©.