2010-11-24 17:24:30

“Mësues i drejtësisë”: kështu e kujtoi Papa kardinalin Navarrete, në Meshën e dritës, në Vatikan.


(24.11.2010 RV)“Besojmë se emri i tij duhet të jetë shkruar në ‘librin e jetës”: kështu u shpreh Benedikti XVI, në Meshën e dritës për kardinalin spanjoll Urban Navarrete, kremtuar sot paradite, në Bazilikën e Vatikanit, kryesuar nga kardinali Anxhelo Sodano, dekan i Kolegjit Kardinalor.
Në përfundim të kremtimit, Benedikti XVI kryesoi ritet e Ultima Commendatio dhe Valedictio, duke i dhënë, kështu, lamtumirën e fundit kardinalit të ndjerë, që vdiq të hënën e kaluar, në moshën 90 vjeçare.

“Mësues i drejtësisë”, Urban Navarrete, bir shpirtëror i Shën Injacit të Lojolës, vdiq pas një shtegtimi të gjatë e të frytshëm tokësor, nënvizoi Papa dhe, me shpirtin plot mirënjohje, kujtoi shkurtimisht jetën e Kardinalit të ndjerë:
“Studimi i përpiktë e mësimdhënia plot pasion e së drejtës kanonike, ishin elementet që kishte vënë në qendër të vëmendjes. Të edukonte posaçërisht breznitë e reja me drejtësisnë e vërtetë, atë të Krishtit, të Ungjillit: ja shërbimi që kreu kardinali gjatë gjithë jetës”.
Specialist i së drejtës martesore, dekan i Fakultetit të së drejtës kanonike pranë Universitetit Papnor Gregorian, më pas rektor i të njëjtit universitet, dha një ndihmesë të shquar për rishikimin e Kodit të së Drejtës Kanonike. Qe këshilltar i dikastereve të ndryshme të Kuries Romake dhe dëshmitar i vëmendshëm i disa ngjarjeve të mëdha, si Sinodi dioqezan i Romës dhe Koncili II i Vatikanit.
“Nuk e kam vënë kurrë në dyshim rrugën që zgjodha”, pati deklaruar në një intervistë kushtuar thirrjes së tij meshtarake, që i lindi në gjirin e një familjeje të përshpirtshme, në të cilën nga 6 vëllezërit e motrat e tij, tre u bënë jezuitë e dy murgesha.
Tre ishin parimet themelore, që frymëzuan jetën e tij si studiues; shumë dashuri për të kaluarën: ndjeshmëri ndaj problemeve, kërkesave e sfidave të së sotmes, aftësi për ta shikuar të ardhmen pa frikë, por me shpresë, me atë shpresë, që buron nga feja, kujtoi në përfundim Papa:
“Një vizion thellësisht i krishterë, që i priu impenjimit të tij për Zotin, për Kishën, për njeriun, në mësim e në vepra”.







All the contents on this site are copyrighted ©.