2010-11-24 17:23:46

Papa në audiencën e përgjithshme, kushtuar Shën Katerinës së Sienës: “Krishti e Kisha duhen dashur me guxim e sinqeritet”.


(24.11.2010 RV)Papa ia kushtoi audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, Shën Katerinës së Sienës, virgjër e doktore e Kishës, pajtore e Italisë dhe e Evropës. Një grua - tha Benedikti XVI - që na mëson ta duam me guxim Krishtin e Kishën.

Benedikti XVI kujtoi se Katerina e Sienës jetoi në epokën e trazuar të shekullit të 14-të, duke e ndriçuar këtë periudhë kritike për jetën e Kishës e të mbarë shoqërisë, në Itali e në Evropë:
Edhe në çastet e vështirësive më të mëdha, Zoti vijon ta bekojë popullin e vet, duke i dërguar Shenjtorë e Shenjtore, që shkundin mendjet e zemrat, për të shkaktuar kthesë e përtëritje”.
Katerina, terciare domenikane, gjysëm-analfabete, ishte mistike në veprim. Jetonte ndërmjet ekstazave e misionit për t’i siguruar paqen Kontinentit evropian. E pikërisht në këtë kontekst, Papa i përsëriti Evropës thirrjen të mos i harrojë rrënjët e krishtera. Me ndërhyrjet e saj energjike, Shën Katerina ia doli mbanesh t’i rikthejë papët nga Avinjoni, në Romë. E njëkohësisht vijoi t’u kushtohej njerëzve më të humbur, më të lënë pas dore: të pastrehëve, të sëmurëve, të burgosurve. Rreth saj nisi të mblidhej një familje e mirëfilltë shpirtërore e shumë nga ata, që e rrethonin, nisën ta thërrisnin ‘Nënë’. Edhe sot - shtoi Ati i Shenjtë - Kisha ka dobi të madhe nga amësia shpirtërore e shumë grave, të shuguruara e laike, që ushqejnë në shpirtin e njerëzve mendimin për Zotin, duke përforcuar fenë e tyre e duke e orientuar jetën e krishterë drejt majave gjithnjë më të larta.
Ashtu si një pjesë e mirë e shenjtorëve, edhe Katerina vuajti shumë, posaçërisht për shkak të mobesimit e të moskuptimit në gjirin e vetë bashkësisë së saj. Gjatë një vegimi, Jezusi i dhuroi një unazë, të cilën mund ta shikonte vetëm ajo. Ishte shenja e bashkimit të saj të ngushtë me Krishtin! Më pas, pa edhe vegimin e shkëmbimit mistik të zemrave:
Zoti Jezus iu duk me një zemër njerëzore të kuqe e të ndritshme në dorë, ia hapi kraharorin, ia vuri aty zemrën e i tha: “E shumdashur bijëz, ashtu si dje mora zemrën tënde, që ma dhurove, ja tani, po të jap timen, që do të zërë vendin e zemrës sate”. Katerina i vuri vërtet në jetë fjalët e Shën Palit: “... nuk jam unë që jetoj, por është Krishti, që jeton në mua”.
Ashtu si Shenjtorja seneze - pohoi Papa - çdo besimtar ka nevojë të bëjë të vetat ndjenjat e Zemrës së Krishtit për ta dashur Hyjin e të afërmin, ashtu si i desh vetë Zoti. Nga kjo përmasë kristocentrike, qendër jetike e çdo përshpirtërie të vërtetë, buronte dashuria e saj për Eukaristinë, dhuratë e jashtëzakonshme dashurie, që Zoti e përtërit vazhdimisht, për të na ushqyer gjatë udhës sonë të fesë. Një tjetër tipar i përshpirtërisë së Katerinës - vërejti më pas Ati i Shenjtë - lidhet me dhuratën e lotëve:
“Lotët shprehin ndjeshmëri të thellë, tregojnë se njeriu, që loton, është i aftë të emocionohet, të ndjejë dashuri e dhëmbshuri. Nuk janë të paktë shenjtorët, që patën dhantinë e lotëve, duke përtëritur, kështu, emocionet e vetë Jezusit, që nuk i mbajti e as s’i fshehu lotët, kur pa varrin e mikut të vet, Lazrit, e dhimbjen e Martës e të Marisë, ashtu si lotoi edhe përballë Jeruzalemit, në ditët e tij të fundit mbi këtë tokë... Sipas Katerinës, lotët e shenjtorëve përzihen me Gjakun e Krishtit”.
E pikërisht duke u nisur nga dashuria e saj për Eukaristinë, ndonëse e vetëdijshme për ligështitë njerëzore të meshtarëve, ajo vijoi të kishte një respekt të madh për ta:
“Ata, përmes Sakramenteve e Fjalës së Zotit, dhurojnë forcën shëlbuese të Gjakut të Krishtit. Shenjtorja seneze i ftoi gjithnjë shërbëtorët e shenjtë, edhe vetë Papën, të cilin e quante “Krishti i ëmbël mbi tokë”, ta kryejnë me besnikëri misionin, që u është besuar, të shtyrë gjithnjë e vetëm nga dashuria e thellë dhe e vazhdueshme për Kishën”.
Para se të vdiste, në moshën 33 vjeçare, Katerina tha: “Pata hirin tejet të jashtëzakonshëm ta shkrij e ta jap jetën në Kishë e për Kishën Shenjte:
“Të dashur vëllezër e motra, të mësojmë nga Shën Katerina për ta dashur me guxim, me sinqeritet e me gjithë zemër, Krishtin e Kishën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.