2010-11-24 17:47:45

OKB-ja përpiqet të dialogojë me Korenë e Veriut. Ipeshkvijtë koreanojugorë, thirrje për shmangjen e konfliktit


(24.11.2010 RV)Forcat e OKB-së në Korenë e Jugut, nën komandën amerikane, deklaruan sot se kanë kërkuar bisedime me Korenë e Veriut për të ulur tensionin e shkaktuar nga bombardimi i Piongjangunt mbi ishullin koreanojugor. Presidenti amerikan Barak Obama, sëbashku me krejt bashkësinë ndërkombëtare, dënoi me indinjatë aktin. Sot, u gjetën trupat e dy civilëve të vrarë, që u shtohen dy ushtarëve të tjerë.
Nga ana e saj, Koreja e Veriut flet për luftë, por deklaron se është Seuli, që po i çon dy vendet në prag të konfliktit. Sipas Piongjangut, Koreja e Jugut ka pezulluar ndihmat humanitare dhe nuk po bën më asnjë hap për bashkimin e familjeve të ndara me luftën e viteve 1950-53. Ndërkaq, Seuli përgjigjet se sulmi është i paramenduar për të forcuar pozitën e udhëheqësit të ri të Koresë komuniste, Kim Jong-un, bir i liderit suprem Kim Jong-il, i zgjedhur pikërisht nga i ati si pasardhës i tij në një kongres, mbajtur në shtator.
E ngrenë zërin edhe ipeshkvijtë e Koresë së Jugut. Lufta, komenton kryetari i Konferencës Ipeshkvnore, Peter Kang U-il, është një eventualitet, që duhet të përpiqemi ta shmangim me çdo mënyrë. “Jetojmë një një çast çorientimi e frike të madhe – thotë prelati për agjensinë katolike Fides. Ndihet nevoja urgjente e ndërhyrjes së bindur të bashkësisë ndërkombëtare, e cila s’mund t’i mbyllë sytë para kësaj situate”. Ipeshkvijtë u kërkojnë të dyja qeverive të ulen në tryezën e bisedimeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.