Kardinali Turan me mision në Pakistan për të liruar Asia Bibin
(24.11.2010 RV)Nesër, kreu i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinali
Zhan-Lui Turan do të shkojë në Pakistan për t’i kërkuar qeverisë lirimin e Asia Bibit,
gruas së krishterë, të akuzuar për blasfemi. Ai do të takohet me ministrin për Pakicat,
i krishterë, i cili deklaroi sot se është kërcënuar nga ekstremistët. Selia e Shenjtë
ka kërkuar edhe shfuqizimin e ligjit mbi blasfeminë, ndërsa partitë fetare pakistaneze
janë shprehur kundër lirimit të Asia Bibit e kanë kërcënuar se do të bëjnë protesta
në nivel kombëtar, kundër “çdo lloj komploti për shfuqizimin e ligjit”. Ligji
mbi blasfeminë është në fuqi në Pakistan që nga vitet ’80. Na flet për të pedagogu
i gjeopolitikës dhe i historisë në Universitetin Katolik të Milanos, Rikardo Redaeli: Është
ligj paradoksal, absurd. Lindi në fazën e islamizimit të Pakistanit në vitet ’80.
Ky ligj po bëhet armë presioni, kërcënimi, dënimi për të krishterët, por edhe për
pakicat e tjera fetare. Lejon dënimin me vdekje të personave ose të familjeve, që
e kanë marrë nëpër gojë emrin e Allahut, ose të profetit Muhamet. Mjafton dëshmia
e katër vetëve, mundësisht meshkuj myslimanë, dhe dënimi është automatik. Natyrisht,
kjo kthehet në armë hakmarrjeje personale, bëhet armë presioni: “Nuk do të ma shesësh
tokën? Atëherë shkoj tek një gjykatës fetar dhe i them se ke blasfemuar”. Ti nuk mund
të mbrohesh, dënimi është i sigurtë. Pastaj – siç ka ndodhur edhe më parë – ndërhyn
presidenti për të shmangur varjen, por ti duhet të ikësh nga vendi, familja kërcënohet,
dhunohet, sulmohet, i digjet shtëpia…. Njerëzit në Pakistan a mund ta shfaqin
lirisht fenë e tyre, apo edhe kjo është blasfemi? Jo. Në Pakistan ka shkolla
katolike e të krishtera, ka kisha. Prandaj feja mund të pohohet e nuk është krim.
Por është krim prozelitizmi, vetëm se kush mund të thotë ku është kufiri ndërmjet
pohimit të fesë e prozelitizmit? I njoh mirë shkollat katolike pakistaneze e janë
shumë të kujdesshme në këtë drejtim: nuk ia japin kurrë Biblën apo Ungjillin një myslimani,
edhe kur ky ua kërkon, pasi më vonë mund t’i akuzojë për prozelitizëm. Sipas sharisë,
dënimi për prozelitizëm është më vdekje. A ekziston mundësia që të lirohet
Asia Bibi duke përdorur ligjin për blasfeminë? Kam shkruar para disa ditësh
në gazetën “Avvenire” se jam i sigurtë që dënimi nuk do të zbatohet. Qeveria dhe presidenti
i Pakistanit ndërhyjnë gjithnjë me dekret faljeje. Por ç’do të thotë falje? Asia Bibi
nuk mund të kthehet pranë familjes, nuk mund të bëjë jetën e saj të zakonshme, duhet
të ikë nga vendi. Bijat e saj janë kërcënuar, gjë që do të thotë se edhe familja duhet
të ikë. Kur të dalë dekreti i faljes, mund të kemi sulme të integralistëve islamikë
kundër shtëpive, dyqaneve, kishave e shkollave të krishtera.