2010-11-24 18:21:34

Grossbruck, BE ta rivlerësojë saktë raportin për Shqipërinë


Zv/Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, njëkohësisht deputet në Parlamentin e Austrisë, Wolfgang Grossruck, gjatë një fjale të mbajtur në seancën plenare të parlamentit austriak i kërkoi Bashkimit Evropian që "raporti aktual për Shqipërinë të vlerësohet mirë dhe saktë".
Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, duke marrë fjalën në parlamentin austriak, gjatë shqyrtimit të një marrëveshje me palën shqiptare në fushën e sigurisë, deputeti Grossruck bëri një prezantim të Shqipërisë, duke e cilësuar atë vendin që e ka vuajtur më shumë se të tjerët regjimin komunist dhe që e ka pasur më të vështirë se vendet e tjera të Ballkanit rrugën drejt zhvillimit.
"Por, të gjithë ata që e kanë vizituar Shqipërinë, konstatojnë se sa shpejt dhe pozitivisht është zhvilluar ky vend dhe sa i dukshëm paraqitet përparimi dhe progresi i tij nga pikëpamja ekonomike, e turizmit dhe e infrastrukturës", tha ai.
Duke i rekomanduar gjithkujt që ta vizitojë Shqipërinë, Grossruck theksoi se "të pushton trishtimi kur sheh mënyrën se si disa njerëz ende sillen me këtë vend, sikur të ishte i rangut të fundit dhe ku gjallon, sipas tyre, korrupsioni, trafiku i njerëzve dhe krimi".
"Kundër këtij imazhi kam bindjen e palëkundur, se ne të gjithë duhet të luftojmë dhe të ndërmarrim gjithshka. Është kjo një arsye më shumë për të mos arritur dot të kuptoj, se Raporti aktual i Komisionit të Bashkimit Evropian e klasifikon diku Shqipërinë, pikërisht atje ku asaj nuk i takon të jetë, si dhe nëpërmjet rezonancës së këtij veprimi shtyhen në kohë negociatat e anëtarësimit me BE-në", tha Grossruck.
"Nga foltorja e Parlamentit Austriak unë kërkoj në mënyrë të prerë, që zotërinjtë, që ndoshta nuk kanë shkelur ende në Shqipëri, duhet ta vizitojnë këtë vend dhe të krijojnë një tablo të qartë atje, pasi vetëm atëherë ata do të arrijnë të rivlerësojnë edhe njëherë ekspertizën e tyre", u shpreh parlamentari austriak.
Në fjalën e tij ai gjithashtu e vlerësoi si të gëzueshme marrjen fund të regjimit të vizave për shqiptarët, duke e cilësuar këtë "shume domethënëse dhe të nevojshme". (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.