2010-11-24 17:47:31

Europarlamenti drejt një rezolute mbi të krishterët në Irak


(24.11.2010 RV)Parlamenti Evropian do të votojë nesër një rezolutë mbi të krishterët në Irak dhe mbi dënimin me vdekje në këtë vend, duke iu referuar veçanërisht dënimit me vdekje të ish-kryeministrit Tarek Aziz.
“Dhuna kundër të krishterëve në Irak ka arritur shifra dhe përpjestime të jashtëzakonshme – shpjegon deputeti italian Mario Mauro, me iniciativën e të cilit grupet politike të parlamentit ranë dakord për rezolutën. Nuk është fjala për ruajtjen e identitetit të tyre, por është luftë për mbrojtjen e lirisë fetare kudo në botë, pasi ajo është baza për liritë e tjera themelore”. Një milion të krishterë janë strehuar në Siri e Jordani, për t’u shpëtuar vrasjeve, dhunës kundër familjeve e persekutimeve të çdo lloji.
Ndërkaq, javës që vjen, edhe parlamenti irakian do të diskutojë mbi rezultatet e një komisioni, të krijuar enkas për shqyrtimin e gjendjes së të krishterëve në vendin arab. Vet presidenti i asamblesë, Osama Nujaifi deklaroi se ekziston një plan kundër të krishterëve, për t’i detyruar të largohen nga Iraku.







All the contents on this site are copyrighted ©.