2010-11-23 15:44:52

Papa: në librin e ri 'Drita e botës' nënvizon urgjencën e kumtimit të Krishtit njerëzimit të sotëm të mbrujtur me ateizmin praktik.


“Drita e botës. Papa, Kisha e shenjat e kohës”, libri-intervistë që është një bisedë e Atit të Shenjtë Benediktit XVI me gazetarin gjerman Peter Sevald, u paraqit sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit. Teksti është fryt i bisedës njëjavore ndërmjet Papës Racinger e gazetarit Sevald zhvilluar verës së kaluar në Kastel Gandolfo, ka afër 280 faqe: mbi 90 pyetje në të cilët përgjigjet Papa.
Benedikti XVI flet për jetën e tij të përditshme – pohon se i mungon mundësia e ekskursioneve apo të një shëtitje të thjesht nëpër qytet – e për tema të mëdha të aktualitetit. Sot – thotë Papa – lypet kumtuar me “fjalë të reja” se “Zoti është dashuri” njerëzimit bashkëkohor që nuk e kupton më se “Gjaku i Krishtit mbi Kryq është derdhur për shlyerjen e mëkateve tona” për shpëtimin e të gjithëve.
“Janë formula të mëdha e të vërteta” por tashmë larg nga mënyra jonë e arsyetimit, e gjithnjë e më i mbrujtur me “ateizmin praktik”, i paaftë të lartoi vështrimin drejt horizonteve të reja. Kisha ekziston për të kumtuar këtë të vërtetë përkundra skandaleve që e lëndojnë e megjithatë na tregon se është pikërisht Jezusi ai që e ka themeluar Kishën: “Sikur të varej prej njerëzve – vëren Papa – Kisha do të ishte tashmë e fundosur prej kohe”.
Libri “Drita e botës” ndahet në tri pjesë: pjesa I shenjat e kohës; pjesa II Papnia, Drejt kujt po shkojmë? E 18 kapitujt me 284 faqe, në të cilat Ati i Shenjtë Racinger përgjigjet në mase 90 pyetje me sinqeritet, qetësi, çiltërsi në të folur e një gjuhë të thjeshtë bisedore, si mbi temat më të ndjeshme e të nxehta për Kishën e sotme, si mbi skandalin e keqpërdorimeve, seksualitetin, dialogun me Islamin e me bashkësitë tjera fetare, mbi marrëdhëniet ndërmjet fesë e botës aktuale, si dhe para “diktaturës së relativizmit” e mbi të ardhmen e Krishterimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.