Më 23 nëntor 1700 Papa Klementi XI u ul në fronin e shën Pjetrit.
Klementi XI, Gjon Françesk Albani, papa me origjinë shqiptare, si sot, më 23 nëntor
1700, 310 vjet më parë, do ulej në fronin e Shën Pjetrit në udhëheqje të Kishës Universale. Gjon
Françesk Albani, siç u thirr në Pagëzim, lindi më 23 korrik 1649 në Urbino të Italisë,
kreu shkollimin e plotë në Romë e, falë aftësive të tija, iu besuan shumë shpejt misione
e detyra shkallët e larta kishtare: së pari si sekretar i kanonikëve (1687), më pas
si kardinal (1690) e së fundi si i 261-ti pasardhës i Shën Pjetrit (23 nëntor 1700).
Pati një papni të trazuar nga konflikti i vazhdueshëm ndërmjet Francës e Perandorisë
spanjolle, që krijoi rrezikun e një sulmi të armatosur kundër papatit. Përballoi me
urtësi këtë konflikt e të tjerë, që u krijuan pas Traktateve të Utrehtit, të Ratsadit
e të Badenit (1712- 1714) ku u caktuan normat për ndarjen e Evropës. Më pas iu desh
të përballonte një rrezik tjetër: atë të pushtimit turk. Dha një kontribut të shquar
në fushën teologjike, duke luftuar herezitë e kohës; në fushën kanonike e liturgjike,
duke kontribuar për përkryerjen e riteve lindore të kinezëve e malabaritëve; në fushën
e misionit, duke dendësuar veprimtarinë misionare në Mesdheun Perëndimor, Persi, Indi
e Kinë. Në fushën e ndihmesës për atdheun e të parëve, krenar për prejardhjen shqiptare,
u interesua nga afër për fatet e vendit, organizoi 14 janar 1703 Kuvendin e Arbënit
në Mërçi të Lezhës dhe botoi Aktet e tij në shqip e latinisht, kontribut i madh për
përhapjen e gjuhës e të kulturës në trojet shqiptare, hap i parë drejt rilindjes shpirtërore
e kombëtare të një populli që rënkonte në errësirën e thellë të pushtimit, duke pritur
padurueshëm, një rreze drite, që t'ia ndriçonte shtegun drejt lirisë.