2010-11-22 17:07:21

U miratua plani i ndihmave Evropë-FMN në favor të Irlandës


(22.11.2010 RV)16 ministrat e Financave të Eurozonës miratuan fondet për të shpëtuar sektorin bankar irlandez nga falimentimi. Edhe për Dublinin, ashtu si për Athinën më parë, do të zbatohet një plan kontrolli e masash jo popullore, të cilat nuk njihen akoma. Sasia e fondeve do të përcaktohet tani nga ekspertët e Bashkimit Evropian dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilët po shqyrtojnë edhe gjendjen në Portugali.
Deri pak kohë më parë, Irlanda ishte model zhvillimi për krejt Evropën. Cilat janë arsyet, që e çuan në këtë gjendje? Të dëgjojmë ekonomistin italian Xhakomo Vaçiago, pedagog i Politikës Ekonomike në Universitetin Katolik të Milanos:
Gjatë viteve të kaluara, ashtu si vende të tjera – për shembull Greqia, Spanja dhe Portugalia – edhe Irlanda është përballur me problemet e shkaktuara nga spekullimi me pasuritë e patundshme. Mendohej se ndërtimi i shtëpive me çmime, që rriteshin pa ndërprerje, do ta bënte vendin më të pasur, por kjo nuk është e vërtetë. Ky është zhvillimi i deformua, sepse nuk bazohet në prodhimin real! Tani qeveritë evropiane duhet të ndërhyjnë e jo të presin, pasi pasiguria e familjeve dhe e ndërmarrjeve mund t’i bëjë veç keq zhvillimit. Qeveritë, s’ka rëndësi nëse janë të djathta apo të majta, janë të nevojshme vetëm nëse marrin masa për zgjidhjen e problemeve!







All the contents on this site are copyrighted ©.