Më 22 nëntor kalendari Kishtar përkujton Shën Çeçilien, martire
Duke shfletuar kalendarin e 22 nëntorit, Kisha katolike përkujton Shën Çeçilien. Çeçilja
ishte një vajzë e re romake, nga familja bujare e Caecilii, e cila u dha një ndihmë
të madhe bashkësive të para të krishtera gjatë persekutimeve të kohës, duke shfrytëzuar
gjithë ndikimin dhe pasuritë e saj.
Kështu patricja e re romake u takua me
të krishterët dhe mori pagëzimin. E deshi Krishti aq shumë, sa në vend që të zgjidhte
rrugën e pasurisë e të nderimeve, zgjodhi atë të martirizimit për fe.
E historia
e martirizimit të saj, në Romë, në shekullin III, që ka ardhur me të gjitha hollësirat
deri në ditët tona, gjë që ndodh rrallë herë me historinë e martirëve të tjerë të
bashkësive të para të krishtera, është vërtetë rrëqethëse. Pësoi e duroi torturat
më mizore, për të mos e mohuan Krishtin. Më në fund, persekutorët vendosën t’i prisnin
kokën. E goditën tri herë me shpatë e vetëm pas goditjes së katërt koka u shkëput
nga trupi.
Mbi vendin ku u varrosën reliket e shenjtes, u ngrit bazilika madhështore
romake kushtuar asaj. Më 1599, kur u kap varri, trupi i shën Çeçilies u gjet në një
pozicion të veçantë, krejt i patretur. Pikërisht kjo skenë është skalitur në mermer
të bardhë, në vitin 1599, nga skulptori i famshëm Stefano Maderno. Artisti vuri në
pah sidomos shenjën që kishte lënë shpata në qafën e Virgjër-Martire dhe pozicionin
e gishtërinjve: tre gishtërinj të hapur në dorën e djathtë e një në të majtën duke
desh të dëshmonte fenë e saj në Njësinë dhe Trininë e Hyjit. Shën Çeçilia, që njihet
si pajtore muzikantëve dhe e këngëtarëve, ka si simbol lilin (zambakun), organon,
llautën dhe palmën e martires.