2010-11-22 16:07:00

Kardinali Elio Sgreçia merr çmimin “Nënë Tereza”


(22.11.2010 RV)Kardinali Elio Sgreçia mori sot çmimin evropian për jetën “Nënë Tereza e Kalkutës”, edicioni 2010. Ky çmim është një lloj Nobeli, themeluar në vitin 2008, me rastin e 60-vjetorit të Deklaratës universale për të drejtat e njeriut, me nismën e Lëvizjes italiane për Jetën, së cilës iu bashkuan lëvizje të tjera evropiane me të njëjtin qëllim.
Çmimi u jepet atyre personaliteteve, që janë dalluar në mbrojtjen e së drejtës për jetën të fëmijëve akoma të palindur dhe në mbështetjen e familjes natyrore. Në këtë rast, kardinalit, ish-kryetar i Akademisë Papnore për Jetën, i njihen merita për themelimin e bioetikës personalistike të bazuar ontologjikisht, për hapjen e 45 qendrave të bioetikës në botë, për botimin e manualit të parë të bioetikës në vitin 1986, përkthyer në shumë gjuhë të botës e për shumë veprimtari të tjera. Në vitin 1990, kardinal Sgreçia ka qenë anëtar i Komitetit italian për Bioetikën, nga viti 2004, president i Fondacionit “Ut Vita Habeant” dhe i shoqatës “Donum Vitae”. Zv.drejtor i revistës “Mjekësia dhe Morali”, ka botuar 400 artikuj në revista të ndryshme botërore. Diploma “honoris causa” i është dhënë nga Universitetet e Meksikës, të Kilit e të Argjentinës. Ka qenë pedagog në Universitetin Katolik të Zemrës së Krishtit në Romë dhe ka drejtuar komisionin e bioetikës në Poliklinikën “Gemelli”.







All the contents on this site are copyrighted ©.