2010-11-22 15:25:11

Benedikti XVI kardinajve të rinj: mbështetem në ndihmën tuaj për t’i shërbyer Kishës.


(22.11.2010 RV)Papa e kardinajtë janë të thirrur të punojnë të bashkuar, duke i shërbyer, kështu, edhe bashkimit e shenjtërimit të popullit të Zotit: këtë pohoi Benedikti XVI në audiencën e sotme me 24 kardinajtë e rinj, të cilët i priti në Sallën e Palit VI, së bashku me familjarët e besimtarët, ardhur në Romë me këtë rast festiv. Papa i nxiti kardinajtë e rinj të vijojnë misionin e tyre shpirtëror e apostolik dhe t’ua vënë mirë veshin zërave të ndryshme, që dëgjohen në Kishë.

“Të jeni dëshmitarë të Ungjillit, që t’i jepni botës shpresën, për të cilën ka aq shumë nevojë e të kontribuoni për promovimin e paqes e të vëllazërisë”- kjo është porosia kryesore, që u dha Ati i Shenjtë kardinajve, gjatë një fjalimi shqiptuar në shumë gjuhë, sipas kombësisë së Hirësive të tyre. Duke folur frëngjisht, Papa i ftoi besimtarët të luten për kardinajtë e rinj që, në bashkim me Pasardhësin e Shën Pjetrit, të punojnë me të gjitha forcat për unitetin dhe për shenjtërimin e mbarë Popullit të Zotit. Më pas foli për ndjenjat dhe emocionet, që provoi gjatë krijimit të 24 kardinajve të rinj. Emocione të fuqishme, sepse kremtimet, si ai i djeshmi, të ftojnë ta zgjërosh horizontin e të jetosh me përmasat e Kishës universale:
“Ishin çaste lutjesh të zjarrta e bashkimi të thellë, të cilin dëshirojmë ta ndjejmë përsëri sot, me shpirtin plot mirënjohje ndaj Zotit, që na dhuroi gëzimin të jetojmë një faqe të re të historisë së Kishës”.
Benedikti XVI pohoi se mbështetet fort në lutjen e në ndihmën e çmuar të kardinajve të rinj, që janë të thirrur për të bashkëpunuar ngushtësisht me Papën e për t’i shërbyer me besnikëri Kishës. Misioni juaj - tha Ati i Shenjtë - pasurohet me një mision tjetër, me atë të ndihmës, që duhet t’i jepni Pasardhësit të Pjetrit, në shërbim të Kishës universale:
“Mbajeni gjithnjë vështrimin të ngulur tek Krishti, duke marrë prej tij çdo hir e ngushëllim shpirtëror, sipas shembullit të ndritur të kardinajve të shenjtë, shërbëtorë guximtarë të Kishës, të cilët në rrjedhë shekujsh i dhanë lumni Zotit me ushtrimin heroik të virtyteve e me besnikëri të patundur ndaj Ungjillit”.
Edhe gjatë përshëndetjeve në gjuhën angleze, Papa pohoi se si në Kurie, ashtu edhe në dioqeze, kardinajtë e rinj janë të thirrur të ndajnë bashkë në mënyrë të posaçme, kujdesin për Kishën universale.
Duke u folur kardinajve italianë, Benedikti XVI vërejti se Kisha në Itali vijon ta pasurojë Kolegjin Kardinalor me urti baritore e me entuziazëm apostolik.
Së fundi, Papa iu lut Virgjërës Mari, Nënës së Kishës, t’i marrë kardinajtë e rinj nën mbrojtjen e saj amtare. E iu lut edhe Shën Çeçiles, festën e së cilës e kremtoi sot Kisha katolike, të ndërmjetësojë, që ta kryejnë me sukses misionin e tyre të madh:
Pajtorja e muzikës dhe e këngës ju shoqëroftë e ju ndihmoftë në impenjimin tuaj për të qenë në Kishë dëgjues të vëmendshëm të zërave të ndryshme, që ta bëni gjithnjë më të fuqishëm bashkimin e zemrave”.







All the contents on this site are copyrighted ©.