2010-11-21 18:49:45

“Drita e botës”: libri-intervistë i Benediktit XVI mbi Kishën dhe shenjat e kohës


(21.11.2010 RV)Do të paraqitet të martën e ardhshme, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, libri-intervistë e Peter Sevald me Benediktin XVI, që ka si titull “Drita e botës. Papa, Kisha dhe shenjat e kohëve”, botuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit. Jozef Racinger pra, bisedon edhe një herë me gazetarin gjerman, pas dy librave të tjerë në formën e intervistës, realizuar me të kur ishte akoma kardinal. Duke lënë mënjanë çështjen e përdorimit të prezervativit, paraqitur gjerësisht në media, ju propozojmë një përmbledhje të shkurtër të argumentave të tjera të librit, para se ai të dalë në libraritë e mbarë botës.
“Në të vërtetë, shpresoja të gjeja paqen dhe qetësinë”: Jozef Racinger i përgjigjet me thjeshtësi çarmatosëse pyetjes së Peter Sevald, i cili i kërkon të kujtojë ndjenjat, që e mbërthyen, në ditën e zgjedhjes së tij në Katedrën e Shën Pjetrit. Me këtë reflektim fillon kapitulli i parë, me titullin provokues “Papët nuk bien nga qielli”. Benedikti XVI thotë se ishte i sigurtë se nuk do t’i jepnin këtë përgjegjësi të jashtëzakonshme, por ia besoi veten vullnetit të Zotit, megjithëse nuk ishte i njëllojtë me të tijin.
Siç shpjegon gazetari gjerman në hyrjen e librit, Papa i është përgjigjur të gjitha pyetjeve dhe nuk ka ndryshuar asgjë nga përgjigjet, përveçse koregjimeve për të qenë më i saktë. Rezultati është një dialog i hapur e i drejtpërdrejtë, që përshkon 360° jetën e Atit të Shenjtë, nga mënyra e jetesës, tek filmat e preferuar e tek çështjet themelore për jetën e Kishës e të njeriut të kohës sonë.
Në njërën nga pyetjet, Sevald i thotë Papës se Pasardhësi i Shën Pjetrit nuk ka qenë kurrë kaq i fuqishëm, pasi kurrë si tani, Kisha Katolike ka pasur kaq shumë besimtarë. “Por – e korregjon menjëherë Benedikti XVI – pushteti i Papës nuk bazohet mbi këto shifra”. E shton: “Stalini kishte të drejtë kur thoshte se Papa nuk ka divizione e nuk mund të frikësojë ose t’i imponohet askujt”. Pra Papa është i pafuqishëm, por, shton Benedikti XVI, ai përfaqëson dhe ka përgjegjësi për besimin e njerëzve në atë fe, që i mban të bashkuar, në mënyrë që ajo të mbetet e gjallë dhe me identitet të fortë. Saktëson edhe se ç’do të thotë “të flasësh në emër të Jezusit” e kur është i pagabueshëm Pasardhësi i Shën Pjetrit. “Natyrisht – vëren – Papa mund të ketë opinione të gabuara personale”. Por, “kur flet si Bariu më i Lartë i Kishës, i vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij, atëherë nuk shpreh më opinionin e vet”. Në atë çast, Papa është i vetëdijshëm edhe për mbrotjen e veçantë të Hyjit, prandaj nuk e çon Kishën drejt gabimit.
Papa analizon shenjat e kohëve, në të cilat jetojmë. Njeriu, thekson Ati i Shenjtë, kërkon natyrshëm gëzimin pa fund. Por, aty ku Zoti nuk ekziston, kjo nuk është e mundur. E atëherë, mundohet të krijojë një amshim të gënjeshtërt përmes fenomeneve shkatërruese si droga e turizmi seksual.
Këtu qëndron sfida e të krishterëve: ta bëjnë të dukshëm Zotin në këtë botë. T’i japin asaj të kuptojë se kur Zoti nuk ekziston, gjithçka mund të kthehet në racionale, por njeriu humb dinjitetin e vet, derisa të mos e vendosë sërish Hyjin në vendin e parë të jetës së tij. Papa nuk mendon se ka ardhur koha për një Koncil III të Vatikanit dhe sheh tek sinodet mjetin e përshtatshëm për të folur në Kishë. Por, vë në dukje nevojën e lëvizjeve shpirtërore, përmes të cilave Kisha mund të arrijë të lerë gjurmë në histori, duke e kthyer Zotin në qendër të saj.
Në një nga kapitujt e fundit, Benedikti XVI përmend librin e tij “Jezusi i Nazaretit”, me anë të të cilit, thotë Papa, jam përpjekur të interpretoj Shkrimin e Shenjtë jo vetëm nga pikpamja historike, por edhe nga pikpamja e fesë. E pyetjes së gazetarit Sevald “Çfarë kërkon Jezusi prej nesh?”, i përgjigjet se Krishti dëshiron, që ne “t’i besojmë, ta lemë veten në dorën e Tij, të jetojmë me Të, duke u bërë më të ngjashëm me Të e kështu, të drejtë”. E kjo vlen edhe më shumë për vetë Kishën. “Pikërisht në këtë kohë shkandulli – pranon Papa – e kemi provuar këtë ndjenjë trishtimi e dhimbjeje, kemi provuar sa e mjerë është Kisha e sa dështojnë anëtarët e saj në ndjekjen e Jezu Krishtit”. Papa i fton besimtarët të jenë të përvujtë dhe i siguron se Zoti, pavarësisht nga dobësitë e njerëzve, nuk e braktis Kishën, por vepron përmes saj.








All the contents on this site are copyrighted ©.