2010-11-21 18:56:15

Notë e zëdhënësit të Selisë së Shenjtë për fjalët e Papës mbi përdorimin e prezervativëve, në librin-intervistë të Peter Sevald


Përsa i përket interpretimit të fjalëve të Papës mbi përdorimin e prezervativëve, apo kondomëve, në librin-intervistë të Peter Sevald “Drita e botës. Papa, Kisha dhe shenjat e kohërave”, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi dha këtë notë për gazetarët:
“Në fund të kapitullit XI të librit “Drita e botës”, Papa iu përgjigjet dy pyetjeve rreth luftës kundër Sidës dhe përdorimit të kondomit, pyetje që lidhen me diskutimet, që shkaktuan fjalët e Papës mbi këtë problem gjatë udhëtimit në Afrikë, në vitin 2009.
Papa pohon qartë se atëherë, nuk deshi të mbante qëndrim mbi problemin e përdorimit të prezervativëve në përgjithësi, por deshi të theksonte me forcë se problemi i Sidës nuk mund të zgjidhet vetëm me shpëndarjen e kondomëve, pasi duhet bërë shumë më tepër: duhet parandaluar, edukuar, ndihmuar, këshilluar, u duhet qëndruar pranë njerëzve, si për të mos i lënë të sëmuren, ashtu edhe kur sëmuren.
Papa vëren se edhe në ambiente jo kishtare ka gjetur vend kjo vetëdije, siç duket nga e ashtuquajtura teori Abc (Abstinence – Be Faithful – Condom), në të cilën dy elementet e para (abstenimi dhe besnikëria) janë shumë më vendimtare dhe më themelore për luftën kundër Sidës, ndërsa i treti, përdorimi i kondomit, shihet si rrugëdalje, kur mungojnë dy të parat. Pra, duhet të jetë e qartë se prezervativi nuk është zgjidhje e problemit.
Pastaj, Papa e zgjeron këndvështrimin dhe ngul këmbë mbi faktin se të përqëndrohesh vetëm mbi prezervativin do të thotë ta banalizosh seksualitetin, i cili e humb domethënien e tij si shprehje e dashurisë ndërmjet njerëzve dhe bëhet një lloj “droge”. Lufta kundër banalizimit të seksualitetit është ‘pjesë e përpjekjeve që seksualiteti të vlerësohet pozitivisht e të ushtrojë efektin e tij pozitiv mbi njeriun në tërësi’.
Në dritën e këtij vizioni të gjerë e të thellë mbi seksualitetin njerëzor dhe problematikën e tij bashkëkohore, Papa ripohon se ‘natyrisht, Kisha nuk e konsideron kondomin si zgjidhje të vërtetë e të moralshme’ të problemit të Sidës.
Me këtë, Papa nuk e reformon apo ndryshon mësimin e Kishës, por e ripohon në perspektivën e vlerës dhe të dinjitetit të seksualitetit njerëzor, si shprehje e dashurisë dhe e përgjegjësisë.
Njëkohësisht, Papa merr parasysh një situatë të jashtëzakonshme, në të cilën seksualiteti përfaqëson rrezik të vërtetë për jetën e tjetrit. Në atë rast, Papa nuk e justifikon moralisht ushtrimin e çrregullt të seksualitetit, por mendon se përdorimi i prezervativit për të zvogëluar rrezikun e infektimit është “akti i parë i përgjegjësisë”, “hapi i parë në rrugën drejt një seksualiteti më njerëzor”, pasi mospërdorimi i tij vë në rrezik jetën e tjetrit.
Në këtë, arsyetimi i Papës, natyrisht që nuk mund të quhet kthesë revolucionare.
Teologë të shumtë të moralit e personalitete kishtare me autoritet kanë mbështetur dhe mbështesin teza të ngjashme; gjithsesi, është e vërtetë se deri tani, nuk e kemi dëgjuar kaq qartë nga goja e një Pape, pavarësisht se në formë bashkëbisedimi e jo magjisteri.
Pra, Benedikti XVI na jep me guxim, një kontribut të rëndësishëm sqarimi e thellimi në një çështje të debatuar gjatë. Është një kontribut origjinal, pasi nga njëra anë u mbetet besnik parimeve morale dhe tregon inteligjencë në refuzimin e një rruge iluzioni si ajo e “besimit tek kondomi”; nga ana tjetër, nxjerr në pah një vizion tërësor e largpamës, aq të kujdesshëm, sa të zbulojë hapat e vogla – megjithëse fillestare e konfuze – të njerëzimit shpesh shumë të varfër nga pikpamja shpirtërore e kulturore, drejt ushtrimit më njerëzor e të përgjegjshëm të seksualitetit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.