2010-11-21 18:44:16

Benedikti XVI në Meshën me kardinajtë e rinj: t’i shërbeni fesë e t’i bindeni Kryqit


(21.11.2010 RV)Shërbimi i parë, që duhet të bëjë një Papë është ai i fesë dhe i bindjes para Kryqit të Krishtit. E ky është edhe shërbimi kryesor i kardinajve. Kështu foli Benedikti XVI gjatë Meshës së sotme në Bazilikën e Vatikanit, me 24 kardinajtë e rinj, që krijoi dje gjatë Konçistorit publik. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, pas kremtimit eukaristik, Papa bëri thirrje për të krishterët e persekutuar në Irak e për të dëmtuarit nga përmbytjet në Kolumbi. Siguroi gjithashtu lutjen e vet për viktimat e aksidenteve rrugore e për bashkësitë e klauzurës, në ditën, që Kisha ia kushton atyre.RealAudioMP3

Prelatë, ipeshkvij, autoritete, ambasadorë e besimtarë nga e gjithë bota ishin mbledhur sot paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit, sëbashku me Papën, për një “ngjarje të gëzuar”: Mesha me kardinajtë e rinj e dorëzimi i unazës kardinalore, ku shihet qartë kryqëzimi i Krishtit, vulë e paktit martesor me Kishën, siç shpjegoi Benedikti XVI.
Në solemnitetin e sotëm të Krishtit Mbret, me të cilin përfundon viti liturgjik, Benedikti XVI kërkoi të meditohet thellë mbi shërbimin e Ipeshkvit të Romës e të kardinajve, në dritën e pushtetit mbretëror të Jezusit.
“Shërbimi i parë i Pasardhësit të Shën Pjetrit është ai i fesë”
Shën Pjetri, shpjegoi Papa, bëhet “gur” që mban Kishën, pasi beson në Krishtin, me një fe fillimisht jo shumë të fortë e tepër njerëzore, por pas Pashkëve, kjo fe bëhet e aftë ta ndjekë Krishtin deri në dhurimin e vetvetes. Shën Pjetri besoi se Krishti ishte mbreti i vërtetë, pikërisht sepse Jezusi nuk iu shmang Kryqit, duke dhënë jetën për mëkatarët e kësaj bote:
“Drama që luhet nën kryqin e Jezusit është universale; ka të bëjë me të gjithë njerëzit para Hyjit, që na zbulohet ashtu siç është, Dashuri”.
Pasardhësi i Shën Pjetrit dhe kardinajt janë pra, të thirrur të qëndrojnë pranë Krishtit, ashtu si Maria, e jo t’i kërkojnë të zbresë prej kryqit:
“ Për shkak të shërbimit tonë, këtë duhet ta bëjmë jo vetëm për vete, por për krejt Kishën, për krejt popullin e Zotit”.
Vërtet, kryqi qe pika e dobët e Simon Pjetrit dhe e apostujve të tjerë, të cilët si njerëz, nuk mund ta duronin idenë e Mesisë së kryqëzuar. Ja sepse, kthimi i shën Pjetrit realizohet plotësisht kur ai heq dorë nga dëshira për ta shpëtuar Jezusin e pranon të shpëtohet prej Tij, theksoi Ati i Shenjtë:
“Edhe shërbimi im, të dashur vëllezër, e si pasojë edhe juaji, ka të bëjë i gjithi me fenë. Jezusi mund ta ndërtojë mbi ne Kishën e vet, nëse gjen tek ne atë fe të vërtetë të Pashkëve, atë fe, që nuk dëshiron ta zbresë nga Kryqi, por i besohet plotësisht Atij mbi Kryq”.
Vendi më autentik për Vikarin e Krishtit është Kryqi, vazhdoi Papa, është t’i bindesh gjithmonë Atij:
“Është i vështirë ky shërbim, sepse nuk përkon me mënyrën e të menduarit të njerëzve, me atë logjikë të natyrshme, që është gjithnjë aktive edhe brenda nesh. Por ky është dhe mbetet gjithnjë shërbimi ynë i parë, shërbimi i fesë, që shndërron krejt jetën”.
E duke iu referuar festës së sotme të Krishtit Mbret, Papa shpjegoi se pse kardinajtë duhet të besojnë se Jezusi është Zot, se është Mbret, pasi arriti deri në pikën e dhurimit të vetvetes për dashurinë e jashtëzakonshme për njerëzit:
“Papa dhe kardinajtë janë të thirrur të jenë të bashkuar thellësisht, së pari në këtë: të gjithë sëbashku, nën udhëheqjen e Pasardhësit të Shën Pjetrit, duhet të mbeten nën zotërimin e Krishtit, duke menduar e vepruar sipas logjikës së Kryqit – e kjo nuk është kurrë as e lehtë, as e thjeshtë”.
Por është pikërisht brenda këtij plani, që historia lartohet në nivelin e Hyjit e njëkohësisht, gjen vend në Kishë, kreu i së cilës është Krishti:
“…ja cili është gëzimi ynë: të marrim pjesë në Kishë, në plotësinë e Krishtit, përmes bindjes para Kryqit, të marrim pjesë në fatin e shenjtorëve të dritës, të ‘transferohemi’ në mbretërinë e Birit të Hyjit”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.