2010-11-20 17:57:25

Papa në Koncistorin për krijimin e 24 kardinajve të rinj: kriteri i madhështisë, nuk është sundimi, por shërbimi.


(20.11.2010 RV)Sot paradite Benedikti XVI kryesoi, në Bazilikën e Shën Pjetrit, përplot me besimtarë, Koncistorin e zakonshëm publik, gjatë të cilit krijoi 24 kardinaj të rinj. Kështu, që sot, Kolegji Kardinalor përbëhet nga 203 anëtarë, 121 prej të cilëve, me të drejtë të zgjidhen e të zgjedhin Papën. Duke iu drejtuar kardinajve të rinj, Ati i Shenjtë u kujtoi se janë bashkëpunëtorë të posaçëm e tejet të çmuar të Pasardhësit të Shën Pjetrit, por kjo duhet shikuar kryesisht si akt përvujtërie, në shërbim të plotë të Krishtit e të Kishës së tij. RealAudioMP3

“Kriteri i madhështisë e i parisë sipas Zotit, nuk është sundimi, por shërbimi”, pohoi Papa e shtoi: Diakonia është ligji themelor i dishepullit të bashkësisë së krishterë e, përmes saj, bëhet e tejdukshme diçka nga ‘Sundimi i Hyjit”. E Jezusi na tregon edhe pikën e referimit: Birin e njeriut, që erdhi për të shërbyer; duke e përmbledhur kështu misionin e tij, sipas kategorisë së shërbimit, jo në kuptimin e përgjithshëm të fjalës, por në atë konkret, në kuptimin e Kryqit, të dhurimit të plotë të jetës, si shpërblim, si shëlbim për shumëkend. E pikërisht ky është kushti kryesor, që duhet të përmbushë njeriu, kur dëshiron të marrë kryqin e vet e ta ndjekë Zotin në rrugën e Kalvarit, rrugë e njerëzimit në shekuj. Po kjo nuk është logjika e sundimit, e pushtetit, sipas kritereve njerëzore!
Papa pohoi me forcë se në Kishë nuk vlen fare modeli njerëzor i sundimit. Në Kishë vlen logjika e përuljes për të larë këmbë, logjika e shërbimit, logjika e Kryqit, i cili është në bazë të ushtrimit të çdo lloj autoriteti. Me një homeli, të përqendruar plotësisht tek kuptimi i shërbimit, Benedikti XVI i pranoi në Kolegjin Kardinalor të 24 kardinajtë e rinj, të krijuar në Koncistorin e tretë të Papnisë së tij, të cilin e kryesoi solemnisht në Bazilikën e Vatikanit.

Tingëllimi i ‘borive të argjendta’ – instrumente liturgjike, të cilat përdoren që në lashtësi në rastet e kremtimeve solemne papnore, të quajtura kështu, për shkak të tingullit të tyre kristalin, së bashku me notat e himnit “Ti je Pjetri”, shoqëruan hyrjen e Benediktit XVI në Bazilikën e Vatikanit, rreth orës 10.30. Pranë Elterit të Katedrës, të radhitur në formë gjysëm rrethi, kardinajtë e rinj: tetë italianë (Anxhelo Amato, Fortunato Baldeli, Velazio De Paolis, Françesko Monterizi, Mauro Piaçenca, Xhanfranko Ravazi, Paolo Romeo, Paolo Sardi); tre evropianë (svicerani Kurt Koh, gjermani Reinhard Marks e polaku Kazimierz Nyç) dy përfaqësues të Kishës në SHBA (Raimond Leo Burke e Donald Uiljam Vurl), dy latinoamerikanë( braziliani Raimod Damasheni Asiz dhe ekuadoriani Raul Eduardo Vela Kiriboga), katër afrikanë (Medardo Jozef Mazombve nga Zambia; Pasinia Laurent Monsengvo nga Republika Demokratike e Kongos; egjiptiani Antonios Naguib dhe guineasi Robert Sarah) si dhe një aziatik (Albert Patabendige Don nga Sri Lanka). Katër, ndërkaq, kardinajtë me të drejtë këshillimore, domethënë mbi moshën 80 vjeç: italianët Domeniko Bartoluçi e Elio Sgreçia; gjermani Valter Brandmyller e spanjolli Hosé Manuel Estepa Llaurens.

Papa Benedikti XVI u kujtoi rrënjën e bashkimit e të dashurisë të posaçme, që i lidh kardinajtë e rinj me Papën. Dinjiteti kardinalor është shenjë nxitëse, që vjen si nga Krishti Bari, ashtu edhe nga Zoti i flijuar mbi Kryq. E këtë të kujton edhe ngjyra e kuqe e kësulës, që Papa u vuri mbi kokë të 24 kardinajve. Duke u frymëzuar nga faqja e Ungjillit të sapo shpallur në Bazilikë, në të cilën Krishti u shpjegon dishepujve të vet kuptimin e parisë, sipas Zotit, Benedikti XVI pohoi:
Çdo shërbim kishtar është gjithnjë përgjigje, që i jepet thirrjes së Zotit e nuk mund të jetë asnjëherë fryt i planeve apo ambicjeve personale. Kjo do të thotë ta përputhësh plotësisht vullnetin tënd me vullnetin e Atit, që është në Qiell, ashtu si bëri Krishti në Kopsht të Gjetsemanit. Në Kishë askush nuk është padron, por të gjithë janë të thirrur, janë të dërguar, të ftuar e të udhëhequr nga hiri hyjnor”.
Diskutimi ndërmjet Jakobit e Gjonit për çështjen e parisë dhe zemërimi që shkakton ndërmjet apostujve të tjerë, vërejti më pas Papa, e nxjerr në plan të parë pyetjen, së cilës dëshiron t’i përgjigjet Jezusi: “Kush është i madh? Kush është ‘i pari’ për Zotin?”. Për Atin e gjithëpushtetshëm, i madh nuk është ai, që ndjek logjikën e sundimit mbi të tjerët, tipike për pushtetarët e kësaj bote, por logjikën tjetër, atë që dëshmoi vetë Jezusi:
Kriteri i madhështisë e i parisë sipas Zotit, nuk është sundimi, por shërbimi; diakonia është ligji themelor i dishepullit dhe i bashkësisë së krishterë; na krijon mundësinë të shikojmë diçka nga ‘Sundimi i Hyjit’ (...). Është mesazh, i cili vlen për Apostujt, vlen për mbarë Kishën e vlen posaçërisht për ata, që kryejnë detyra udhëheqëse në gjirin e popullit të Zotit. Në bazë të ushtrimit të çdo lloj autoriteti kishtar, nuk është logjika e sundimit, e pushtetit, sipas kritereve njerëzore, por logjika e përuljes për të larë këmbë, logjika e shërbimit, logjika e Kryqit ”.
Misioni për të cilin na bën thirrje Zoti, na ngarkon me përgjegjësi edhe më të mëdha në shërbim të Kishës, tha Papa në përfundim të homelisë. Kërkon, prandaj, vullnet edhe më të madh për të përvetësuar stilin e Birit të Hyjit, që erdhi ndërmjet nesh, si ai që shërben:
“Është fjala për t’ia dhuruar Kishës gjithë dashurinë e përvuajtur, ashtu si ia dhuroi Zoti mbi kryq, sepse pikërisht mbi këtë dru, kokrra e grurit, që Ati e la të bjerë në arën e botës, vdes, për t’u bërë kallëz e pjekur. Prandaj duhet t’i shtrijmë rrënjët gjithnjë e më e thellë në Krishtin”.

 
24 herë Papa përsëriti fjalët dhe ritin e vënies së kapës së kuqe, në sa kardinajtë e rinj ishin të gjunjëzuar para Atit të Shenjtë, për ta marrë kësulën, së bashku me bulën, që përmbante Titullin e Diakonisë, e cila iu dorëzua Hirësive të tyre.
Së fundi, për ta vulosur gjithë kremtimin, përqafimi i paqes ndërmjet Papës e secilit nga kardinajtë e sapokrijuar, përqafim që u përsërit, më pas, edhe me bashkëvëllezërit e tjerë të Kolegjit, në të cilin që sot nisën të bëjnë pjesë 24 kardinajtë e rinj.







All the contents on this site are copyrighted ©.