Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 34-të –Krishti Mbret ‘C’
Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj
radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 34-të gjatë
e të fundit gjatë vitit kishtar ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare,
të cilën të diele, Kisha ia kushton solemnitetit të Krishtit Mbret. Kjo festë liturgjike
e re (siç dihet është themeluar nga Papa Piu XI më 1925) e mbyll vitin kishtar me
një vizion madhështor të harmonisë e të paqes. Një harmoni që nuk është e realizuar
përmes planeve të superfuqive apo ekuilibrave të terrorit por përmes dashurisë. Në
qendër të skenës kemi Krishtin mbi kryq që Luka ungjilltar e vendos, si aktin e mbramë
të mbretërisë së tij tokësore e si gjestin e parë të Mbretërisë së tij të lavdishme,
që ofron falje e shpëtim. Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele pra, na
fton të meditojmë mbi figurën e Krishtit si qendër kyçe të historisë sonë, si qendër
të ngjarjeve tona personale e të mbarë gjithësisë. Në veprën e njohur Krishti dhe
koha O. Cullman shkruante: “Pas Pashkëve qendra nuk gjenden më, për besimtarin, në
të ardhmen. Qendra e historisë është arritur tashmë në jetën e në veprën e Jezusit”. Ky
person, që është qendra e historisë, nuk e kryen këtë funksion “thelbësor” në mënyrë
perandorake por përmes dhurimit të dashurisë totale. Krishti Mbret i Lukës ungjilltar
është Ai që lartohet mbi një dru skllevërish, i rrethuar nga rragatjet, përbuzjet,
shpotitjet, i mbërthyer mes dy mbeturinave të njerëzimit, mes dy cubave, i shtrirë
në një gjest faljeje. Ja një lutje tjetër jashtëzakonisht e bukur e filozofit
danez S. Kierkegaard: ” O Zotëri Jezus, shpezët kanë çerdhet e tyre e dhelprat
shtrofullat e tyre, derisa ti nuk ke ku ta mbështetësh kokën. Ti nuk ke një strehë
mbi këtë tokë: megjithatë ishe ti i vetmi vend sekret në të cilin mëkatari mund të
gjente strehim. Edhe sot ti je strehim: kur mëkatari vrapon tek ti, fshehët në ty,
është i strehuar në ty, atëherë ai është përjetësisht i mbrojtur, sepse dashuria fsheh
morinë e mëkateve” (Nga fjalimi A i panjohuri, i 1851). Nga kjo dashuri lind “pajtimi”
i të gjitha sendeve, qiellore e tokësore. Kryqi i Krishtit Mbret është përmbledhja
e pikë lidhja mes hyjnores e tokësore, mes të pakufishmes e të kufishmes, është struktura
që koordinon “bijtë e shpërndarë e të humbur të Zotit” dhe realitetet e shkëputura
të kohës e të hapësirës. Kremtimi i solemnitetit të kësaj së diele, atëherë bëhet,
një këngë shprese dhe besimi. Të mbështjell në kundërshtimet tona e në kufizimet tona
prej krijesash siç jemi, gjemë përsëri një dritë, një kuptim të ekzistencës sonë,
gjejmë sërish paqen. Në pritje të dëgjimit të atyre fjalëve vendimtare: “Sot do të
jesh me mua në parajsë”. E tani ja leximet biblike të kësaj së diele:
Liturgjia
e Fjalës
Leximi i parë 2 Sam 5, 1-3
Davidi ka fituar famë si
luftëtar i pathyeshëm. Fiset e veriut duan një kryetar që i mbron dhe i kërkojnë
Davidit nëse do të jetë mbreti i tyre. Ai pranon, por nuk ka asgjë fetare në këto
ngjarje. Megjithatë Hyji nëpërmjet lojës së ngjarjeve politike, përgatit ardhjen
e Mesisë.
Lexim prej Librit të dytë të Samuelit
Në ato ditë,
erdhën të gjitha fiset e Izraelit te Davidi në Hebron dhe i thanë: “Ja, ne jemi ashti
yt dhe mishi yt. Po edhe më parë, kur Sauli ishte mbreti ynë, ishe ti ai që i drejtoje
të gjitha lëvizjet e Izraelit. Edhe Zoti të ka thënë: ‘Ti do ta kullotësh popullin
tim Izraelin dhe ti do të jesh prijës mbi Izraelin’.” Po ashtu erdhën edhe të gjithë
pleqtë e Izraelit te mbreti në Hebron, dhe Davidi mbret lidhi besëlidhje me ta në
Hebron në praninë e Zotit. Ata e lyen Davidin mbret përmbi Izraelin. Fjala e
Zotit.
Psalmi 122
Ku është Zoti, aty mbretëron paqja -----
----- ----- Sa u gëzova kur më thanë: “Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!” Ja,
tashmë këmbët tona shkelën në dyert e tua, o Jerusalem! ----- ----- ----- O
Jerusalem, qytet i ndërtuar me mjeshtëri, thuaj se i tëri një copë të vetme je! Atje
ngjiten fiset, fiset e Zotit, sipas rregullores në Izrael, për të kremtuar Emrin
e Zotit. ----- ----- ----- Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë, selitë
e shtëpisë së Davidit! Lutuni për paqen e Izraelit: “U priftë e mbara atyre
që të duan ty!” ----- ----- -----
Leximi i dytë Kol 1, 12-20
Kolosianët
imagjinonin se energjia hyjnore përhapej nga Hyji tek engjëjt, njerëzit, lënda dhe
mendonin të vendosnin Krishtin në këtë shkallë hierarkike. Pali kundërshton dhe dënon
këtë konceptim mbi krishterimin. Edhe sot rikthehet tundimi për të futur Krishtin
në një filozofi njerëzore, të ndërtuar jashtë Ungjillit. Krishti vendoset në një
nivel tjetër: Ai është i parëlinduri i njerëzimit dhe e shpëton prej vdekjes.
Lexim
prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve
Vëllezër, ta falënderojmë
Atin, i cili ju bëri të aftë të keni pjesë në trashëgimin e shenjtërve në dritë. Ai
na nxori nga pushteti i errësirës dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,
në të cilin kemi shpërblimin, faljen e mëkateve. Ai është shëmbëllesa e Hyjit të
papashëm, i parëlinduri, para çdo krijese. Sepse në Të u krijua çdo gjë në qiell e
në dhe, çka shihet e çka nuk shihet: qoftë fronet, qoftë zotërimet, qoftë principatat,
qoftë pushtetet: gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të. Ai është para çdo gjëje dhe
çdo gjë qëndron në Të. Ai është Kryet e Trupit, Kishës; Ai është fillimi, i parëlinduri
ndër të vdekurit, që të jetë në gjithçka i pari. Sepse Hyjit i pëlqeu të banojë në
Të e tërë plotësia dhe, me anë të Tij, duke vendosur paqen me anë të gjakut të kryqit
të Tij, të pajtojë me vete gjithçka, qoftë në tokë qoftë në qiell. Fjala
e Zotit.
ALELUJA, aleluja. Qoftë bekuar Ai që vjen në Emër të
Zotit! Qoftë bekuar Mbretëria e Tij që po vjen. Aleluja.
Ì
Ungjilli Lk 23, 35-43
Mundimet e Krishtit te Luka janë përshkruar me optimizëm.
Ndërsa kryetarët e popullit shprehin urrejtje dhe ironi, populli qëndron i pa gojë
duke e kundruar. Është shumë domethënës dialogu i Jezusit me dy hajdutët: Krishti,
megjithë mundjen, madje nëpërmjet saj, triumfon mbi të keqen dhe dhuron mëshirën e
tij, duke u bërë kështu Zot i qiellit dhe i tokës, burim i shpëtimit për të gjithë.
Leximi
i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, populli rrinte aty e po kundronte.
Anëtarët e Këshillit të Lartë e përqeshnin duke thënë: “Tjerët i shpëtoi, le ta shpëtojë
vetveten, nëse është Mesia i Hyjit, i zgjedhuri!” Edhe ushtarët e vinin në lojë. Iu
afruan për t’i dhënë uthull dhe i thanë: “Nëse je ti mbreti i judenjve, shpëto vetveten!”
Mbi të ishte edhe mbishkrimi: “Ky është mbreti i judenjve.” Njëri nga kriminelët
e kryqëzuar e fyente: “Po a nuk je ti Mesia?! Shpëto veten edhe ne!” Por ai tjetri
e qortoi shokun: “As ti nuk e druan Hyjin që po vuan të njëjtin dënim si ai? Sa për
ne kjo është drejtësi: po marrim ndëshkimin e merituar për veprat tona! Por ky – ky
s’bëri asnjë të keqe!” Dhe tha: “Të bie ndër mend për mua, o Jezus, kur të arrish
në Mbretërinë tënde!” E Jezusi i tha: “Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me
mua në parajsë.” Fjala e Zotit.
Me shume mbi liturgjine Hyjnore
te ketij solemniteti dhe homelia e kësaj së diele nga At Anton Ndua OFM.............