2010-11-19 13:35:14

Ipeshkvijtë katolikë të Shqipërisë kërkojnë Ungjillëzim të ri në Vend


Ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë në Asamblenë plenare në ditët 16 dhe 17 nëntor 2010 kërkojnë Ungjillëzim të ri për Vendin e përgatisin një program trevjeçar për Ungjillëzimin e ri, ku theksohet në mënyrë të veçantë në Ungjillëzimi permanent i familjes si bazë e shoqërisë, i rinisë dhe kultivimi e përhapja e atyre vlerave që dita ditës po bëhen të huaja në jetën e shoqërisë shqiptare si jeta, familja dhe edukimi.
Mbi këtë temë të ungjillëzimit të ri dhe argumentet tjera që u trajtuan nga episkopati i Shqipërisë, nga Tirana të dëgjojmë bisedën tonë me zëdhënësin e Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, meshtarin don Gjergj Meta.............RealAudioMP3
Deklarata e KISH-it
E mbledhur në Asamblenë plenare në ditët 16 dhe 17 nëntor 2010, Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë trajtoi çështje me rëndësi për jetën e Kishës Katolike në Shqipëri. Në fjalën e tij hapëse, President i KISH, Imzot Rrok Mirdita bëri një përmbledhje të veprimtarive të zhvilluara në këtë vit sipas programit dhe vendimeve të plenares së një viti më parë. Në mënyrë të veçantë u theksua angazhimi në veprimtaritë për 100 vjetorin e Lindjes së të Lumes Tereza të Kalkutës. Gjithashtu, siç është traditë, përshëndeti edhe Nunci Apostolik në Shqipëri SH.T. Imzot Ramiro Moliner Ingles. Ishin të pranishëm edhe ipeshkvij të ftuar nga Tivari e Kosova.
Duke u nisur edhe nga dokumenti i fundit i Papës Benedikti XVI, Ubicumque et semper me të cilin themelohet një dikaster në Vatikan për Ungjillëzimin e ri, nga Imzot Lucjan Avgustinit, Ipeshkëv i Sapës u paraqit një plan projekt trevjeçar ne shërbim të Ungjillëzimit të ri, ku u vendos theksi në mënyrë të veçantë në Ungjillëzimin permanent, te familja si baza e shoqërisë ,në punën me rininë dhe sidomos në ushqimin e atyre vlerave që dita ditës po bëhen të huaja në jetën e shoqërisë sikurse jeta, familja dhe edukimi i seksualiteti si shprehje e jetës martesore e të gjitha këto duke u nisur nga Shkrimi i Shenjtë e Katekizmi i Kishës Katolike.
Ndër çështjet e tjera me rëndësi që u trajtuan ishin plan – projekti për një organ shtypi të KISH i cili do të paraqesë mendimin e Kishës jo vetëm mbi ngjarjet brenda Kishës, por edhe mbi çështjet sociale e politike me më rëndësi në shoqërinë shqiptare, duke u nisur gjithnjë nga doktrina dhe mendimi i Kishës. Gjithashtu një vend të veçantë zuri edhe puna që është bërë deri më tani me përkthimin e mesharit të ri në shqip, për të cilin po punon një komision ad hoc prej shumë kohësh. Po bëhet një punë serioze dhe me kompetencë gjuhësore,teologjike dhe liturgjike që ky meshar të shohë dritën e botimit sa më shpejt. Edhe katekizmi ishte një nga temat që u trajtua gjithnjë duke dashur të kihet një katekizëm i aktualizuar me kontekstin në të cilin jetojmë dhe përçimi i të vërtetave të fesë duke pasur parasysh vendin, gjuhën dhe njerëzit që duhen katekizuar.
U formua edhe një komision ad hoc i KISH me në krye Presidentin e KISH, cili do të punojë me një komision ad hoc të qeverisë shqiptare për kthimin dhe kompensimin e pronave.
Gjithashtu ipeshkvijtë vendosën t’i drejtojnë një letër falënderimi qeverisë shqiptare në personin e Kryeministrit të saj për sa i përket angazhimit të qeverisë në kremtimet për 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës. Në tekstin e letrës theksohet se “...Nënë Tereza, kjo bijë e popullit tonë, është për shqiptarët jo vetëm një motiv krenarie, por edhe një shembull frymëzimi në mbrojtje të atyre vlerave mbi të cilat ndërtohet shoqëria njerëzore e në mënyrë të veçantë ajo evropiane, sikurse janë besimi në Hyjin, vlera e jetës, familja, harmonia, paqja e kujdesi ndaj atyre që janë në nevojë.”
Zyra e shtypit e KISH







All the contents on this site are copyrighted ©.