Benedikti XVI hapi Koncistorin: relativizmi, diktaturë që rrezikon ta shkatërrojë
lirinë.
(19.11.2010 RV)E sotmja, në Vatikan, për Kolegjin Kardinalor, thirrur nga Ati
i Shenjtë me rastin e krijimit të 24 kardinajve të rinj, ishte Ditë lutjeje e studimi. Në
fillim të takimit, mbajtur në Sallën e Re të Sinodit, kardinali Anxhelo Sodano, Dekan
i Kolegjit Kardinalor, i drejtoi Papës përshëndetjen e rastit, në emër të të gjithë
të pranishmëve, duke e falënderuar edhe për lumnimin, pak kohë më parë, të kardinalit
Njumën, si edhe për fillimin e së njëjtës çështje, për kardinalin e ndjerë Van Thuan,
lavdi e Kishës së Vietnamit. Më pas e mori fjalën Ati i Shenjtë, i cili preku
posaçërisht dy temat e propozuara për bisedimin e paradites. Së pari, kujtoi se në
mandatin e Zotit për të kumtuar Ungjillin shprehet qartë kërkesa e lirisë së plotë.
Por historia dëshmon se kjo kërkesë nuk realizohet lehtë. Kumtimi i Fjalës së Zotit
ndesh shumë shpesh kundërshtime nga më të ndryshmet. Prej këndej, lidhja ndërmjet
së vërtetës e lirisë është themelore, pa harruar se sot duhet përballuar sfida e madhe
e relativizmit, i cili duket sikur e përsos konceptin e lirisë, ndërsa në të vërtetë
krijon rrezikun e shkatërrimit të tij, duke marrë pamjen e një ‘diktature’ të vërtetë.
Jetojmë, prandaj, në një kohë, kur nuk është aspak e lehtë të impenjohesh për afirmimin
e lirisë së fesë, për kumtimin e të vërtetave të Ungjillit e të arritjeve të mëdha
të kulturës së krishterë. Përsa i përket temës së dytë, Papa vuri theksin mbi
rëndësinë vendimtare të Liturgjisë në jetën e Kishës, sepse pikërisht Kisha është
vendi i pranisë së Zotit me ne. Prej këndej, vendi në të cilin e vërteta jeton me
ne, brenda nesh.
Gjatë paradites u shqyrtuan dy tema kryesore. Diskutimet mbi
temën e lirisë së Kishës në kohën e sotme i drejtoi kardinali Tarçizio Bertone, sekretar
i Shtetit të Vatikanit, ndërsa ato për temën e liturgjisë në jetën e Kishës, kardinali
Kanizares, prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor. Kardinali Bertone i ftoi të
pranishmit të reflektojnë për situatën e lirisë fetare në vendet perëndimore. Ndonëse
bëhet fjalë për vende me identitet e kulturë të formuar nën ndikimin e fuqishëm të
krishterimit, ndër to vijon të thellohet procesi i shekullarizimit, me prirje për
përjashtimin e vlerave shpirtërore nga jeta shoqërore. Së dyti, sekretari i Shtetit
të Vatikanit foli për situatën e sotme të lirisë fetare në vendet islamike, duke kujtuar
edhe përfundimet në të cilat arriti Asambleja e Sinodit të Ipeshkvijve për Lindjen
e Mesme. Në përfundim, informoi të pranishmit për veprimtarinë e Selisë së Shenjtë
dhe të Episkopateve vendase në mbrojtje të katolikëve, si në Perëndim, ashtu edhe
në Lindje. Kujtoi edhe impenjimin e madh të Selisë Apostolike në fushën ndërkombëtare
për të mbrojtur, në tribunat e shteteve e në atë të Kombeve të Bashkuara, lirinë fetare
të besimtarëve. Kardinali Antonio Kanizares drejtoi, më pas, diskutimet për rëndësinë
e lutjes liturgjike në jetën e Kishës, duke vënë theksin mbi besnikërinë ndaj disiplinës
liturgjike. Dy ishin fjalimet kryesore të pasdites: i pari, ai i kardinalit Uiljam
Levada, kushtuar “Përgjigjes së Kishës ndaj rasteve të shpërdorimeve seksuale” si
dhe “Normave”, hartuar nga Selia e Shenjtë për të pranuar në Kishën katolike meshtarët
dhe besimtarët anglikanë, që do të paraqesin kërkesën, në përkim me Kushtetutën “Anglicanorum
coetibus”. Më pas, fjalimi me titull: “Dhjetë vjet pas Dominus Iesus” (Deklaratë
e Kongregatës për Doktrinën e Fesë), kushtuar universalitetit shëlbues të Krishtit.
U mbajt nga kryeipeshkvi Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. Kujtojmë
se në takimin e sotëm, përveç kardinajve aktualë, ishin të pranishëm edhe 24 kardinajtë,
që do të lartohen nesër në dinjitetin e kardinalatit. Mungonin vetëm ata, që i patën
kërkuar leje Papës, për arsye shëndetësore ose për shkak impenjimesh urgjente baritore
në dioqezat e tyre. Prandaj të pranishëm ishin rreth 150 kardinaj. Kujtojmë,
në përfundim, se me kremtimin e 80 vjetorit të kardinalit leton Pujats Jãnis, tani
Këshilli Kardinalor përbëhet nga 179 kardinaj, nga të cilët, 101 me të drejtë zgjedhore
e 78 me të drejtë këshillimore.