2010-11-18 16:17:07

Shqipëri: në Tiranë propozohet muzeu mbi bashkëjetesën fetare


Një muze i kushtuar bashkëjetesës fetare është ideja që bëri të ditur Bashkia e Tiranës së bashku me një grup studiuesish, historianësh dhe përfaqësuesish të komuniteteve fetare. Kryebashkiaku Rama foli për rëndësinë e një institucioni të tillë në kryeqytet, si për besimtarët ashtu edhe për qytetarët, por edhe për të rinjtë, të cilët do të mund të njihen edhe me kalvarin e historisë së fesë në vend. "Ky është një projekt që i duhet Tiranës. Ky është një muze që i mungon Tiranës. Si çdo projekt i domosdoshëm, si çdo objekt i munguar në një realitet, na detyron për një qasje inteligjente dhe një qëndrim të suksesshëm", ka deklaruar Rama.
Muzeu mendohet të ndërtohet pranë dy Katedraleve dhe Xhamisë së re. Për të realizuar idenë do të bëhet një konkurs ndërkombëtar. "Bashkia do të bëjë vetëm katalizatorin e këtij procesi, duke marrë përsipër krijimin e mundësisë që njerëzit ta diskutojnë problemin me të gjitha palët dhe që të gjithë të thonë fjalën e tyre për këtë muze, që do të jetë muzeu i të gjithëve", ka pohuar Rama.







All the contents on this site are copyrighted ©.