2010-11-17 12:24:58

Papa: sot në Kishë kemi pranverën eukaristike. Të përtërihet feja në praninë reale të Krishtit në Eukaristi.


“Sot në Kishë kemi një pranverë eukaristike: sa shumë njerëz ndalet në heshtje para Tabernakullit të Shenjtueshmit Sakrament të Eukaristisë, për të ndenjur në bisedë dashurie me Jezusin!”. Kështu pohoi mes tjerash Papa Benedikti në audiencën e sotme të përgjithshme, katekizmin e së cilës ia kushtoi “një figure femërore, pak të njohur, së cilës Kisha duhet ti jetë mirënjohëse shumë, jo vetëm për shenjtërinë e jetës së saj, por edhe sepse, me zell të madh, ka kontribuar në themelimin e njërit prej solemniteteve ‘liturgjike më të rëndësishme të vitit, atë të Korpit të Krishtit’”. Është fjala për shën Gjulianën nga Liezhi, e cila lindi mes 1191 e 1192 e vdiq më 1258.
“Eshtë ngushëllues të dish – tha Papa duke folur për festën e Corpus Domini (Korpin e Krishtit) – që jo pak grupe të rinjsh kanë rizbuluar bukurinë e lutjes e të adhurimit para të Shenjtueshmit Sakrament të Eukaristisë”. Ati i Shenjtë Racinger këndej uroi që kjo “pranverë” eukaristike të “përhapet gjithnjë më shumë në të gjitha bashkësitë kishtare famullitare, në mënyrë të posaçme në Belgjikë, atdheun e shën Gjulianës”. Papa kërkoi prej besimtarëve e Kishës të përtërihet “feja në praninë reale të Krishtit në Eukaristi”, ku – shpjegoi Përmbledhjen e Katekizmit të Kishës Katolike - Jezu Krishti “është i pranishëm në mënyrë të vërtet, reale, thelbësore: me korpin e gjakun e vet, me shpirtin e hyjninë e vet”.







All the contents on this site are copyrighted ©.