2010-11-16 15:04:12

Vatikani në HD, drejt faqes së re të internetit për të gjitha mediat e tij


(16.11.2010 RV)Vatikani po punon për realizimin e faqes së re të internetit, në të cilën do të bashkohen, në formë multimediatike, burimet e ndryshme të lajmeve nga Selia e Shenjtë: Salla e Shtypit, gazeta “L’Osservatore Romano”, Radio Vatikani, Qendra Televizive e Vatikanit dhe agjensia FIDES. Lajmin e dha sot kryetari i Këshillit Papnor për Komunikimet Shoqërore, imzot Klaudio Maria Çeli, gjatë paraqitjes së autobuzit të ri regji për xhirimin me cilësi të lartë, apo HD (High Definition) në konferencën e shtypit me temë “Teknologji të reja në shërbim të komunikimit të Selisë së Shenjtë”.
Është ende shpejt të përcaktohen kohët për funksionimin e këtij portali të ri e siç shpjegoi imzot Çeli, ka shumë propozime edhe për emrin, ndoshta “Vatican News”. Kjo faqe e internetit ka për qëllim koordinimin e punës ndërmjet mediave të Selisë së Shenjtë, duke ruajtur autonominë e secilës.
Përsa i përket regjisë së re të lëvizshme u sqarua se blerja e saj u mundësua me ndihmën e Kalorësve të Kolombit dhe të Sony-t. Është një kosto e konsiderueshme e ndokush pyeti edhe pse është marrë përsipër? Të dëgjojmë përgjigjen e imzot Klaudio Maria Çelit:
“Përgjigjia e vërtetë për këtë pyetje të ligjshme gjendet, besoj, në një pjesë të Këshillimit të fundit Apostolik të Benediktit XVI “Verbum Domini”, ku lexohet: “Marrëdhënies ndërmjet Fjalës së Zotit dhe kulturave i bashkangjitet edhe rëndësia e përdorimit të kujdeshshëm e inteligjent të mjeteve, të vjetra e të reja, të komunikimeve shoqërore” (n.113). Ja arsyeja e vërtetë e këtij investimi”.
Blerja e regjisë së re i përgjigjet kërkesës për një sinjal gjithnjë e më cilësor, siç nënvizoi drejtori i Qendrës Televizive të Vatikanit, atë Federiko Lombardi:
“Ishim të detyruar. Nganjëherë duhet ta mbrojmë këtë shpenzim para atyre, që mendojnë se është tepër ambicioz, ose tepër i madh. Por nuk mund të mos e bënim. Në të kundërt, imazhi i Papës në vitet e ardhshme do të dilte gradualisht nga bota televizive”.
Presidenti i Sony-t për Italinë, Gildas Pelliet kujtoi disa nga karkateristikat e regjisë së lëvizshme, realizuar krejtësisht në Itali, me mjetet më të sofistikuara, që ofron sot tekonologjia:
“Në veçanti, automjeti i lëvizshëm është i gjatë 13,9 m, i gjerë 2,5 m dhe i lartë 4 m. Mund të zgjerohet dyfish me anë të një komande hidraulike, që na lejon të shfrytëzojmë një hapësirë shtesë në zonën e prodhimit. Ndahet në 4 zona operative, ajo audio, salla e aparateve, regjia e parë dhe regjia e dytë për regjistrimin e videove dhe për kontrollin e komandimin e telekamerave”.
Nesër, pas audiencës së përgjithshme, Papa Benedikti XVI do ta bekojë regjinë e re, e cila do të jetë operative për Krishtlindje. Kjo regji është gati edhe për zbatime të ardhshme në 3d (tripërmasëshe) e sjell me vete të reja të tjera të rëndësishme. Arkivi televiziv i Vatikanit do të integrohet me xhirime me cilësi të lartë HD. Brenda disa muajve, ngjarjet e Selisë së Shenjtë do të transmetohen me këtë cilësi drejtpërdrejt nga Qendra Televizive e Vatikanit në zonën e Romës, në kanalin dixhital tokësor, që i ka takuar Qytetit të Amshuar, mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare. Risi tjetër është edhe rinovimi i faqes së internetit “Pope 2 you” (Papa juve), realizuar nga Këshilli Papnor i Komunikimeve Shoqërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.